Mister e ardhmja e Mesit dhe Ronaldos, mediat “qajnë” eleminimin e yjeve!

Dy superfuqi më pak. Argjentina nënkampione e botës, dhe Portugalia kampione e Europës, ishin viktimat e tjera, pak ditë pas Gjermanisë kampione të botës. Lionel Mesi nuk preferoi të fliste për mediat pas disfatës. Kristiano Ronaldo, ndërkaq, pranoi me shumë sportivitet.

“Dua të përgëzoj Uruguajin për fitoren, – u shpreh Kristiano, – Ia doli sepse shënoi më shumë gola se ne. Sipas mendimit tim, luajtëm më mirë sesa Uruguaji, krijuam më shumë raste, por ky është futbolli. Kush shënon më shumë gola, fiton. Në tërësi, bëmë një Botëror të mirë dhe unë si kapiten jam krenar për këtë ekip. Nuk është momenti për të folur për të ardhmen time, do të vijë koha, por unë jam i sigurt që Portugalia do të vazhdojë të jetë ndër më të mirat në botë”.

E ardhmja e Mesit dhe e Ronaldos në ekipet kombëtare, është mister, ndërsa nuk dihet as se çfarë do të ndodhë me trajnerin argjentinas. “Është një humbje e hidhur, edhe pse nuk është paraqitja më e keqe e Argjentinës në kupat e botës, – tha trajneri, – Ne bëmë gjithçka, por nuk ia dolëm. Jam i tronditur dhe i turbulluar pas kësaj që ndodhi, por sot nuk është dita për të folur për të ardhmen time tek Argjentina”.

Nuk mund të mungonte jehona mediatike. Në Spanjë, “El Mundo Deportivo: Lamtumirë kampionë! “Marka”: Mesi dhe CR7, nokaut! Mbape është superylli! Në Portugali, “A Bola”: Ëndërr e shuar, dygolëshi i Kavanit kthen seleksionin në shtëpi! “Rekord”: Rënia e kampionit! Dy gola të Kavanit shuajnë ëndrrën portugeze! Mbape rrëzon Mesin!

“O Zhogo”: Fundi i ëndrrës, shoqëruar me një foto të Ronaldo, me kokën ulur pas eleminimit “Publiko” po në Portugali: Lamtumirë Portugali! Ronaldo dhe Mesi jashtë Botërorit të Rusisë në të njëjtën ditë!

“Los Andes” në Argjentinë: Argjentina e eleminuar dhe e detyruar që të ngrihet sërish në këmbë, me foton e Mesit të gjunjëzuar, në kopertinë “Una” po në Argjentinë: E ardhmja është një mister! Mesi nuk luajti mirë, ndërsa humbja mund të jetë fundi i ciklit për disa yje!

Sfidanti.al