Kur Europa ishte peng e shortit, një shqiptar “bisedonte” për ndihma!

Ju kujtohet ajo shprehja e zyrtarit të FSHF-së , ku i bëhej e qartë tifozëve se, në stadiumin e ri”Arena”,  s’do të kishin më strehë tifozët fukarenj,  ngaqë  çmimet i biletave  do të ishin të kripura. Madje aq  të kripura, saqë në stadium do të mbijetonin  vetëm të pasurit. Kjo shkarje zyrtare , në emër të oreksit pa limite, ka merituar vend në kujtesën tonë të ngarkuar , madje  tifozët e kishin “përjetësuar” me një parrullë në ndeshjen ndaj Francës. Por, pse e kujtuam këtë episod pikant? Tamam këto ditë, kur tërmeti na qëndron sipër kokës si shpata e Demokleut, duket sikur të gjithë jemi fukarenj, madje dhe të pasurit kanë vënë maskën e të varfërit! Ja shikoni shembullin e FSHF-së, një shembull se si i pasuri, ai që ndizej me   fiksimin për  të ndërtuar stadiume, për të ngritur   megazyra që vlejnë sa një stadium, fill pas  tërmetit famëkeq, ka veshur petkun e të varfërit dhe po  kërkon “ndihma”. Dhe kur? Dhe ku?    Kur Europa e madhe e futbollit, tamam  kur finalistët e turneut të Kontinentit  ishin marrë peng nga ethet e shortit, njeriu  ynë në UEFA, pra presidenti, paska bërë “bisedime për ndihma”.

Sipas deklaratës së FSHF-së, shefi i tyre  ka treguar talent dhe nuhatje  kur ka  shfrytëzuar “mrekullisht” skenën  e shortit të Euro-2020-tës, për të  kërkuar ndihmë të pasurve të futbollit. Duke filluar nga maja e fronit, Ceferinit,  e deri tek homologët e tjerë  të Komitetit Ekzekutiv. Kur e  gjithë bota, edhe ajo që i përket hapësirës së futbollit, e ka përjetuar dramën shqiptare sikur të ishte edhe dramë e tyre, përse u dashka t’i përulemi ( nëse me të vërtetë është folur për ndihma)  kësaj zonje me poza , e cila quhet  UEFA! Por, le ta mirëbesojmë se  UEFA do të vërë dorën në zemër,  por si do t’ia bëjmë me zakonin tonë të vjetër. Ne, akoma nuk dimë  saktë sa kanë kushtuar  stadiumet të tre së bashku, sa po ngjitet  fatura e zyrave të FSHF-së dhe, si për dreq,  të na shtohet edhe një mister financiar. Le të mos fluturojmë me shifra, të mbetemi tek   premtimi teorik   i FSHF-së për të dhuruar 3 apartamente për ata që humbën shtëpitë! Një fakt që të ngacmon  sedrën,  sepse  futbolli, sporti që flet me prepotencë me gjuhën e milionave,  vesh uniformën e betonit.. për t’u futur në listën e bamirësve…

Gëzim Sinemati

Botuar ne Panorama Sport