Kupa e Shqipërisë, atje ku kryqëzohen rrugët e mbijetesës dhe Europës

Rrallë mund të ndodhë që kaq pranë finishit të Kupës së Shqipërisë, në garë kanë mbetur katër skuadra me interesa kaq të ngatërruara. Tirana arriti një barazim pa gola në Gjirokastër dhe fakti që mbrojtja e bardhebluve nuk bëri ndonjë tjetër gafë për t’u mbajtur mend, kjo është diçka për t’u përshëndetur. Por ankthi i Tiranës nuk ka përfunduar dhe skuadra e Memës duhet të vazhdojë të qëndrojë në Gjirokastër deri të djelën, ku duhet të ndeshet sërish me Luftëtarin, këtë rradhë jo për një ndeshje kualifikuese Kupe, por për të mbajtur të njëjtën distancë sigurie me Kastriotin që po i kërcënon qëndrimin në Superiore. Në fakt, tek Tirana, ndonjëherë bëhen aq megalomanë, saqë në vend që të vlerësojnë realisht gjendjen aktuale të skuadrës, vazhdojnë dhe kujtojnë histori të vjetra me trofe të fituar. Para dy sezonesh janë pikërisht ata fituesit e këtij kompeticioni, por këtë e arritën nëpërmjet një pakti alogjik, duke u rrëzuar një kategori më poshtë. Ndërkohë që gjirokastritët do të tentojnë sërish një ritakim me historinë, megjithëse kanë halle të përbashkëta me kryeqëtetasit, madje tek ata ekziston edhe dilemma, nëse ia vlen vërtetë të jenë sërish pjesë e Europës. Ia arritën një vit më parë, nëpërmjet kampionatit, por jo vetëm nuk lanë asnjë gjurmë, por klubi i Luftëtarit është ende nën hetim nga UEFA për trukime ndeshjesh.
Ndërsa në çiftin tjetër gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë, një prej skuadrave është Kukësi i Safet Gjicit. Presidenti i verilindorëve e kërkon çdo vit një trofe, madje edhe në mënyrë ultimative, por megjithëse po përfundon sezoni, duket se ende nuk e ka të qartë se sa të fortë e ka skuadrën. Gjatë kësaj periudhe relativisht të shkurtër, ka ndërhyrë disa herë kushtueshëm në skuadër, si të ishte një kirurg plastik, duke i dhënë Kukësit të tij pajme të bukur, por ende është larg të qenit dominat, ashtu siç do t’i pëlqente. Në rastin e Kukësit ndoshta është e kundërta: Nëse dikush do të tregohej më i kujdesshëm në shpenzime, mund të kishte në dispozicion një skuadër absolutisht kampione. Dhe sa herë që kërkon giçka të rëndësishme për të marrë, rrugët e Gjicit kryqëzohen më ato të Takajt, ndërkohë që ndeshjen e parë e fitoi në Kamëz, aty ku Kukësi ka mbetur e vetmja skuadër e shtëpisë.
Në dy fazat e dyta të kampionatit, korçarët luajnë ndonjë ndeshje sa për të thënë se janë ende gjallë, ndërsa në 3-4 të tjera në rradhë e bëjnë pushim, ndërkohë që opinion i qan gjithmonë hallin, për stresin që po përjetojnë nga ideja e një dënimi të gjatë nga UEFA. Në Kupë është e kundërta, për Skënderbeun thonë që po kërkon me ngulm të shpëtojë sezonin dhe nuk do të ketë më dënim, për ta ndaluar të rikthehet në Europë… Në fund të fundit këtu jemi në Shqipëri dhe gjithçka mund të besohet se do të ndodhë.