Kujt i mbajnë gjunjët Partizanit apo Kukësit? Mos harroni “gjunjët e pushtetit”…

I mbajnë apo nuk i mbajnë gjunjët Partizanit deri në muajin mars? Batuta e presidentit të Kukësit, Safet Gjici, lidhur me gjunjët e “demave” që nuk mbajnë peshë në muajin mars, ka bërë efektin e pritshëm. Të gjithë nuk e kanë përtypur tek Partizani, edhe ata sipër, edhe ata poshtë, por në skenë ka dalë vetëm trajneri Gega që ndez lojën me gjunjët kur thotë se “ Unë kurrë nuk do të merresha me gjunjët e Kukësit”. Batuta, e cila në pamje të parë duket sikur është një dorashkë e hedhur me nder në garën për titull, me siguri, sipas zakonit tonë, nuk mbetet vetëm tek gjunjet e futbollistëve…

Sa herë që flitet për titullin kampion, të gjithë e dimë me sy mbyllur, madje mund të vemë edhe baste në Angli apo në Azi, se ka një palë gjunjë të “artë”, që vlejnë më shumë se ato të futbollistëve. Fjala është për gjunjët e sistemit, të atyre që komandojnë garën dhe nuk lejojnë që kampionët të shpallen pa bekimin dhe aporvimin e tyre. Ajo që ka ndodhur në vitet e fundit, nuk na lejon të besojmë se loja e madhe bitiset nëse i mbajnë apo nuk i mbajnë gjunjët Partizanit deri në mars apo Kukësit deri në qershor. Sa do të donim që Partizanit apo Kukësit t’i lodheshin gjunjët, me të drejtën e Zotit , pa përjetuar një herë të vetme “gjunjët e pushtetit”..ato që nuk lodhen kurrë në të gjithë muajt e kampionatit pa futur hundët në kazanin e fronit..
Sfidanti.al