Korabi hyri si mal dhe do të dalë .. fushë! Ju kujtohet helikopteri në Dibër..

Erdhi me emrin e Malit më të lartë në vend, Korabi, por, me sa duket, do të ikë nga loja me imoralitet të ndjeshëm të Superligës, me emrin e tradhëtisë pa fund. Ajo që ngjet me Korabin e Peshkopisë, nuk është thjesht çështje stadiumi, pa të cilin mbetesh me lecka në dorë në një udhëtim plot me hile.  Një udhëtim që nisi si një film, sapo nga barku i helikopterit u shfaqën presidenti Duka dhe trajneri De Biazi, në një ditë lumturie për dibranët, që besuan shumë lehtë tek fushata plot gënjeshtra të  bukura  e shefave.  Atë ditë, në prag të sezonit, dibranët dëgjuan  fjalët më të sheqerosura për një stadium që do të kishin për 7 palë qejfe, dhe diçka më shumë, do të troksinin sa herë të donin në portën e madhe të FSHF-së, atje ku  jo të gjithë arrijnë të sigurojnë “farën e kosit” .

Ëndërra ishte tejet e bukur , veçse realiteti vjen tejet i hidhur.  Korabi i futbollit ka humbur shumë lartësi nga metrat e malit të madh dhe për këtë ka meritë një nga zotërinjtë që  dolën nga barku i helikopterit, atë ditë fatlume, ku futbolli dhe partia e futbollit  ishin bërë si një trup i vetëm. Dibranët  nuk u tradhëtuan vetëm një herë, por janë zhytur në një serial pabesie, ku ajo puna e stadiumit që mungon përdoret si zbutës “rrobash”. Kur luajnë me Skënderbeun shkojnë në Elbasan se “kanë ekip që lodron bukur në fushë të mirë”, por,  kur Skënderbeu nuk është i zoti t’i mundë me shpirtin e vet, shfaqet një arbitër që nuk ka frikë  të  baltosë lojën ndjeshëm, duke përdhosur mirëbesimin,  me një penallti  të denjë për në koleksionin e  sendeve idiote të këtij sezoni. Një sezon futbolli, i cili edhe pse ç‘nderohet nga java në javë, vetëm shefat, ata që dolën nga barku i  helikopterit,  po nderohen me tituj  , meqë na bënë krenar 7 muaj më parë, s’ka gjë se na kanë ulur kokën gjithë këto muajt e tjerë.  Merre me mënd, kemi nisur kaq trokë me Kombëtaren, sapo na pëlqen përralla e kampionatit, ku Korabi hyri si mal dhe do të dalë si ..fushë.

Gëzim Sinemati