Kombëtarja e Zyrihut, humbën të gjithë shqiptarët dhe fitoi vetëm njëri

Pavarësisht paraqitjeve dhe rezultateve që nxjerr nga fusha e lojës, presidenti Duka tenton që edhe në ditën më të errët të saj, të jetë i vetmi që përfiton nga ekipi Kombëtar. Për të qenë një aset privat, kjo skuadër është shumë e vlefshme, kështu që, si asgjë tjetër që ka lidhje me futbollin në Shqipëri, nuk duhet të ndahet me askën dhe aq më pak me publikun. Pra është vetëm Duka që ka ekskluzivitetin  e përzgjedhjes së trajnerit të Kombëtares dhe këtë e bën me bisedime si të jetë në një ankand, pa marrë ndonjë mendim më të specializuar teknik. Madje këto të fundit nuk i duhen më, pasi përpara çdo ndeshje, vishet me tutat e ekipit dhe nga holli  hotelit ku është akomoduar së bashku me përfaqësuesit tanë të futbollit, nuk përton të bëj analiza të gjata profesionale. Kështu ndodh gjithmonë, madje edhe menjëherë pas ndeshjeve, ku fytyra e presidentit, me mimikë entuzuaste apo të helmuar, sipas rastit, nuk mungon kurrë në ekranet tona.

Pas humbjes turpëruese me Kosovën, përsëri Duka fitoi mjaftueshëm nga skuadra e tij, këtë rradhë duke luajtur patriotin që duhet duartrokitur me ovacione në çdo situatë. Titullari i FSHF-së u deklarua shumë  lumtur për fitoren e thellë të kundërshtarëve tanë, pasi sipas tij ata janë shqiptarë si ne, madje vetë ai ka kontribuar shumë më tepër se Fadil Vokri që këta të jenë pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s. Ndërsa në fund bëri edhe babaxhanin, ku nëpërmjet një letre të hapur i doli në mbrojtje zgjedhjes së tij, trajnerit Panuçi, duke replikuar me ish-presidentin e Republikës dhe një deputet që ka kohë që e bezdis. Në fakt, arsyet e reagimit të ashpër të Armandos ishin të tjera. Z. Nishani na ishte gdhirë trajner dhe specialist futbollit, duke tentuar kështu direkt t’i përvetësonte një dhunti që e ka vetëm ai dhe kështu që ish-titullari i shtetit e meritonte një përgjigje pa as minimumin e respektit. Kjo pra është Kombëtarja në përgjithësi dhe veçanërisht ajo e Zyrihut, ku humbën të turpëruar të gjithë shqiptarët dhe fitoi sërish vetëm njëri.