Ironi shqiptare… Duka leksione ekonomie, futbolli në kolaps dhe me shkallë të boshatisura

Shefi legjendar i futbollit shqiptar ka shumë mundësi që tashmë të ketë humbur besimin edhe tek njerëzit që i kanë shërbyer me aq devotshmëri për vite të të tëra, madje edhe që janë kujdesur për t’i shtuar rradhët e tyre me rekrutë të rinj. Kështu nuk është mjaftuar me parrullat e tipit, “ky është kampionati më i bukur i rajonit, madje një forcë e frikshme që po i imponohet Kontinentit”, por përkufizimin e kampionatit e ka artikuluar vetë, kuptohet më me delikatesë. Sipas presidentit të FSHF-së, në këtë sezon të Superiores, që nga Skënderbeu dhe deri tek Kukësi i vendit të parë, të gjitha skuadrat mund ta fitojnë trofeun. Dhe sipas tij, kjo shtrirje gjeografike tregon edhe potencën reale të futbollit që ai drejton.

Ndërkohë që kampionati ynë do të fillojë pikërisht sot, pas një faze përgatitore ku klubet u treguan të kursyera, duke u justifikuar edhe me faktin, që në janar është e vështirë të gjesh futbollistë të përshtatshëm. Por nuk është kjo më e rëndësishmja që bie ndesh me vlerësimet optimiste të shefit të futbollit dhe ushtrisë së tij mediatike, por tkurrja e numrit të skuadrave pjesmarrëse në Kategorinë Superiore, megjithëse fizikisht vazhdojnë të jenë prezente 10 ekipe. Pasi borxhet kanë kaluar çdo kufi, vetë Federata pezulloi për një afat relativisht të gjatë merkatot e Flamurtarit dhe Luftëtarit, aq sa tani, pyetja që mundon në Vlorë dhe Gjirokastër është: Mirë që do të bien nga kategoria në fund të sezonit, por si do të ngjiten përsëri në Superiore. Duke përfshirë këtu edhe Skënderbeun, që aktualisht e ka humbur disi interesin, pas atij dënimi të gjatë nga UEFA, Shqipëria e futbollit është i vetmi vend në rajon dhe më gjerë, e cila që prej fillimit të garës funksionon vetëm nga mesi e sipër.

Ndërsa së fundmi, si për të treguar se si funksionon realisht, një raport I UEFA-s e klasifikon futbollin shqiptar në kolaps financiar. Ekzaktësisht është një ndër 9 vendet e vetme në Europë me rënie të të ardhurave dhe që klubet kanë shpenzuar shifër të barabartë me klubet kosovare, të cilat janë pjesë e Federatës më të re të panuar në UEFA dhe FIFA. Ndërsa Duka, njeriu me më shumë Honoris Causa e nderime të tjera edhe se sa Ismail Kadare e Dritëro Agolli të marrë të bashku, po vazhdon një tur të suksesshëm nëpër universitete, ku jep leksione ekonomie.