Shkëmbi nga asistet në fushë, tek “golat” në studio

Shkembi edhe pse luante me një marsh më ulet se shoket e tij, kampionet po e qajnë vizionin e tij. Nga studio po mundohet të japë një asist për skuadren që vuan në mesfushë, por është e pamundur, sidomos kur ne stol është një njeri që ka prekur palcën e lojes. Në prag të derbit, tregon profilin për dy trajnerët përballë, Josën dhe Starovën. Me të parin ka provuar shijen e troveve në fushë, ndërsa me të dytin, shijen e befasisë nga studio.

Bledi, keni punuar në ekipe të ndryshme me Mirel Josën dhe Sulejman Starovën. Duke qenë se jemi në prag të derbit, a mund të na thoni se cilat janë të përbashkëtat dhe të veçantat e dy trajnerëve?

Të jem i sinqertë, më i saktë në ato që do të them mund të jem për Josën, pasi kam punuar më shumë vite me të, sesa me Starovën. Megjithatë, edhe me profesor Sulën kam punuar dhe e di se çfarë trajneri është. Natyrisht, kanë disa gjëra të përbashkëta. Së pari, të dy janë nga ata trajnerë që mundohen t’i përgatisin ndeshjet me shumë qetësi, duke mbajtur lojtarët jashtë presionit. Kjo është diçka shumë e mirë që e kanë të dy, pasi qetësia e ekipit është shumë e rëndësishme, aq më tepër që jemi në prag të derbit Tirana-Partizani.

Cilin do të cilësoni më të fiksuar drejt taktikës?

Di të them që Mireli është më i lirshëm se Starova në pjesën taktike. Josa nuk është nga ata trajnerë që thotë: ‘duhet bërë ashtu si them unë dhe s’ka!’. Pra, ndryshimi është se Josa zhbilancohet pak më shumë në aspektin taktik. Ndërsa “Bobi”, me atë që mbaj mend unë, gjithmonë ka qenë shumë strikt në detyrat taktike. Për të ka qenë shumë e rëndësishme pjesa e mbrojtjes, ndryshe nga sa shoh tashmë.

Mendoni se Starova ka ndryshuar filozofi?

Të them të drejtën, kur shoh që te ky Partizan profesori aplikon një lojë goxha sulmuese, ndonjëherë edhe çuditem pak. Siç duket, edhe Starova ka ndryshuar dhe këtë e konfirmon Partizani aktual, që është bërë shumë sulmues. “Bobi” ka një skuadër që s’e njeh frikën.

Në këtë derbi mendoni se do të jetë lojë “shahu” mes trajnerëve, apo do të ketë spektakël dhe skuadrat do të luajnë më lirshëm?

Duke parë se si përfunduan ndeshjet e sotme (djeshme) të Skënderbeut dhe Kukësit, unë mendoj se të dyja ekipet duhet të luajnë për të fituar. Sidomos Tirana duhet të jetë më kërkuese në këtë takim, pasi u bë kohë që nuk merr dot një fitore në derbi. Jam i bindur se do të bëhet një ndeshje e bukur, sepse të dyja ekipet kanë lojtarë të mirë. Te Tirana shikoj që lojtarët e vuajnë shumë presionin e derbit, bëhen nevrikë dhe nuk japin më të mirën. Tensioni nuk i lë të shprehen mirë.

Tiranën e shikon më shumë nën presion?

Po, patjetër. Së pari, ka shumë derbi që nuk fiton. Së dyti, Tirana ka shansin që të mos shkëputet nga skuadrat kryesuese nëse e mposht Partizanin. Një fitore e të kuqve do ta bënte diferencën +5 pikë dhe gjërat do të vështirësoheshin për bardheblutë. Së treti, Tirana luan në shtëpi dhe natyrshëm do të ketë më shumë tifozë. Kështu që e shikoj më shumë nën presion për të fituar. Partizani është më i qetë.

Panorama Sport