Elis Bakaj, ”çifuti” i Tiranës që nuk shkel dot në Iran

“Bardheblutë më hapën dyert në momente të vështira dhe unë i jam mirënjohës, ndërkohë që jam i sigurtë se edhe sezonin e ardhshëm do të luaj në një kampionat të huaj”

Saimir Demi

Në një intervistë të sinqertë për “Sport Ekspres”, futbollisti që ka luajtur me të gjitha skuadrat e kryeqytetit, tregon se çfarë pret nga e ardhmja. Pse Tirana vazhdon të mbetet zgjedhje e parë, megjithëse është një produkt i Akademisë së Partizanit dhe arsyet që e kanë penguar të transferohet në një tjetër skuadër të huaj që në merkaton e janarit. Ja si e konsideron kampionatin shqiptar dhe si do të pranonte më mirë Iranin se Amerikën…

– Pas kthimit nga Kroacia, nuk keni vendosur ende për një skuadër ku mund të vazhdoni pjesën e mbetur të sezonit. Po ku stërviteni për të mbajtur veten në formë?

– Për momentin jam duke zhvilluar stërvitje individuale dhe kjo ndodh çdo ditë. Kur u ktheva nga Spliti, fillimisht u bashkova me Tiranën, por tashmë skuadra ndodhet në Antalia për fazën përgatitore dhe unë nuk mund t’i bashkohesha, derisa ende nuk jam pjesë e saj.

–  Po pse vetëm Tirana, të paktën kështu keni thënë, që është skuadra e vetme ku mund të luani në kampionatin shqiptar, ndërkohë që ju jeni prodhim i një tjetër akademie të kryeqyetetit, madje që në moshën 15 vjeçare keni debutuar me uniformën e skuadrës së parë të Partizanit?

– Sepse kur u ktheva nga Ukraina, klubi mëmë nuk më bëri asnjë ofertë, ndoshta duke menduar se unë kisha kohë pa luajtur dhe në fakt ashtu ishte. Ndërsa drejtuesit e Tiranës besuan dhe më hapën dyert në një moment të vështirë.

– Pra kjo është arsyeja që ju bëri të shpreheshit gjithmonë si një “ultras” i bardhebluve?

– Unë e ndjej veten profesionist dhe si i tillë jam munduar të tregohem me uniformën e Partizanit, Dinamos, ku kam dalë edhe kampion, apo së fundi tek bardheblutë. Nuk hyj tek kategoria e “ultrasve”, por Tirana është edhe çështje mirënjohje dhe unë jua thashë arsyen pse kjo skuadër vazhdon të jetë zhgjedhje e parë.

– Por megjithë dashurinë e re që shprehni vazhdimisht, madje duke përfshirë edhe golat në derbi, nuk është se marrdhëniet me tifozët e Tiranës i kishit si prej të njeriut të familjes…

– Sidoqoftë nuk ndjehem i huaj. Jam kontestuar si e gjithë pjesa tjetër e skuadrës, në një kohë kur rezultatet kanë munguar dhe kjo është normale. Në kushte të tilla nuk vlejnë shumë as golat në derbi.

– Pse nuk mund të jetë për ju zgjedhje e mirë edhe Skënderbeu, pasi flitet për një skuadër që ka më shumë shanse për të fituar tituj të mëdhenj. Apo vazhdoni të konsideroni incidentin e dikurshëm që ju largoi nga kjo skuadër?

– Për ta nisur nga fundi, ajo që ndodhi atëherë është një gjë e harruar dhe nuk ndikon fare në zgjedhjet e tanishme. Skënderbeu ka pasur interes për mua edhe në këtë periudhë, por njëlloj si Partizani, nuk më ka bërë një ofertë konkrete, mbi bazën e të cilës unë të vendosja.

– Por nëse do të qëndroni ose jo në kampionatin shqiptar, gjithçka bëhet për 4-5 muajt e mbetur të këtij sezoni, pasi sërish doni të zgjidhni një tjetër aventurë jashtë vendit…

– Po ekzakt, pikërisht për kaq muaj, pasi ende besoj se i kam mundësitë për të luajtur në një kampionat më të rëndësishëm.

– Pra vazhdoni të insistoni, megjithëse nuk keni qenë shumë me fat në dy transferimet e fundit jashtë vendit, si tek Çernomorets më parë dhe së fundi edhe tek RNK Split…

–  Nuk është e njëjta gjë, megjithëse problemet e kanë një lloj ngjashmërie. Tek Spliti pati probleme të pariparueshme financiare dhe nuk u largova vetëm unë, por edhe lojtarë të tjerë të huaj e kroatë. Tani që po flasim jam në gjyq me klubin, për pagat e prapambetura. Ndërsa në Ukrainë, shkak i prishjes së marrdhënieve me klubin ishte lufta që përfshiu fillimisht Krimenë dhe më pas u shtri edhe në pjesë të tjera të vendit dhe siç mund ta dini edhe në Odesë ku unë jetoja.

– Këto që keni kaluar së fundi janë peripeci të mëdha, sa garanci financiare mendoni se keni tek Tirana, aq më shumë që tani flitet edhe për një “çështje Muzaka”?

– Unë e njoh këtë ambjent dhe besoj tek ky klub kaq i madh. Pra me fjalë të tjera, nuk i druhem për asnjë arsye një rikthimi tjetër tek Tirana.

– Thuhet se gjatë kësaj periudhe keni pasur bisedime me disa skuadra. A mund të na zbardhni diçka më konkretisht dhe pse keni hezituar të transferoheni diku, meqenëse e keni edhe qëllim në vetvete?

– E kam qëllim, sepse mendoj se ende mund të luaj në një skuadër të huaj, por jo të vendos për ofertën e parë që më vjen në tavolinë. Që të jem i sinqertë, kanë qenë dy arsyet që më kanë penguar të transferohem jashtë vendit. Fillimisht ofertat e paleverdishme, siç ishin ato që më erdhën nga Qipro, Azerbajxhani, Letonia, Singapori, apo edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë nuk dua të përkëdhelem, por në të njëjtën kohë jam 29 vjeç dhe nuk më ka mbetur shumë për të luajtur futboll, kështu që e kam shumë të rëndësishme pjesën financiare. Por kam gjetur edhe skuadra që ofronin mjaftueshëm, siç janë Dinamo e Bukureshtit dhe Astra në kampionatin rumun, por që unë e kam të vështirë të luaj, sepse jam ekstrakomunitar dhe ata me rregullore e kanë numrin shumë të limituar për futbollistë që vijnë nga vende të tilla.

– Po në SHBA, a mund t’i thuhet jo një transferimi të tillë?

– Flitet për një skuadër të Ligës së Dytë dhe atje nuk ngjitesh në elitë për merita sportive, por për hir të buxhetit. Amerika dhe Singapori janë vende të mira për të jetuar, por të shkosh aq larg për një pagë që e gjen edhe në Shqipëri, sigurisht që nuk ia vlen. Madje as në Tetovë tek Shkëndija. Nuk është e vërtetë ajo që u tha se nuk isha në planet e tyre. Ata kishin interes dhe më bënë një ofertë konkrete, por jo më shumë se sa mund të marr tek Tirana, një klub që është 15 minuta në këmbë nga shtëpia ime.

– A është e vërtetë që keni pasur ofertë edhe nga një skuadër iraniane, aq më shumë që ju jeni shprehur se keni qenë i gatshëm të transferoheni në atë kampionat?

– Po, kam pasur një ofertë shumë të mirë nga Sapahan, ku më parë kanë luajtur edhe Sukaj e Bulku dhe ishte vërtetë mëkat që nuk u bë i mundur ky transferim. Në fund, ata mësuan që kam luajtur në Izrael dhe mjafton të kesh shkelur atje, bëhet direkt e pamundur të shkosh edhe në Iran… por edhe e kundërta.

– Dhe së fundmi, si të duket kampionati ynë, a ia vlen të shpenzosh vitet e fundit të karierës?

– Mua më pëlqen, pasi ka një rritje të ndjeshme. Megjithëse është ende çështje besimi, vë re që merkato ka sjellë futbollistë më cilësorë se më parë, është përmirësuar infrastruktura, kanë ndikuar transmetimet televizive, si dhe ka lojtarë vendas që mund të luajnë në kampionate më prestigjoze. Të jeni të sigurtë, që në të gjithë Ballkanin kanë probleme të ngjashme me këtu, por ka më shumë marketing, diku janë pjesë e Bashkimit Europian, gjë që është shumë e rëndësishme. Pra thjeshtë të rinjtë mund të përfitojnë më shumë, por niveli i pagave dhe problemet financiare në përgjithësi janë të ngjashme.