I paharruar Bert Borova,  vetëm kur shuhen do t’i kujtojmë kampionët

Edhe pse ka vite që volejbolli i madh ka “vdekur”, ka personazhe që mbeten të gjallë, sidomos kur flitet për një brez kampionësh ,sjellja me të cilët është disi e pamoralshme. Në të gjallë, kur i kemi midis nesh, janë pothuajse të harruar, ndërsa kur shuhen,  kur nuk jetojnë më, i zbukurojmë aq shumë, sa  duket sikur është rregull i pashkruar që të gjallët  do të marrin lavdinë e merituar.. vetëm kur të mbyllin sytë. Këto ditë është ndarë nga jeta një volejbollist i talentuar i brezit të artë të volejbollit të viteve 70-80-të, Bert Borova,  një personazh tepër i dashur sidomos për tifozët e Partizanit.  Disa e kujtojnë si një kapiten  me autoritet, të tjerë thonë se sallakja e Borovës ishte  “goditja e nokautit” për kundërshtarin,  ka nga ata që e kujtojnë edhe më mirë filmin e atëhershëm të volejbollit, një film i bukur dhe i paharruar, ku Bert Borova aktronte në mënyrën e tij karakteristike.

Këtë e provon edhe një kampion i madh si Shaban Uka, një  nga të harruarit e mëdhenj. Dëgjoni fjalët e Shabanit në homazh të mikut të tij, Borovës: “ Për Bertin do të doja të flitej shumë kur ishte gjallë sepse do të ishim më pranë të vërtetës.  Tani që ai nuk jeton më , siç ndodh zakonisht në të tilla raste,  duam të kompensojmë harresën e madhe me fjalët e bukura”.  Fjalët e Shaban Ukës ,sepse  të kujtojnë edhe gjuajtjen e tij të tipit “vare”, apo siç thoshin atëherë “ Shaba kur zhyt e bën gropë”, ngaqë kanë peshë dhe janë flakëruese për mjedisin e sotëm. Një mjedis që ka më pak lojë dhe më shumë hipokrizi. Shabani, një nga ikonat e volejbollit, nga ata që zhurma e goditjes së tij të kumbon akoma në vesh,  lufton edhe sot, në moshën 61 vjeç, që karrierat të respektohen ..pa mbyllur sytë. “  Përse duhet të presim që të shuhen sportistët për të treguar se cillët ishin.  Atë ditë, kur zoti Rama ka nderuar veprën sportive të të mëdhenjve Asallan Rusi dhe Dash Fagu, i kam thënë kryeministrit këto fjalë : Ishte gjë e bukur dhe shumë mbresëlënese që kujtuat Llonin dhe Dashin, por duhet të respektojmë edhe të gjallët”.

Gezim Sinemati