I marrin të ligën ..Ligës, klubet hanë kokat, paratë dikush tjeter

Nuk di a duhet qeshur apo qarë me lajmin se  FSHF ka hapur dritën jeshile që të bëhet Liga.  Bile është treguar edhe shumë xhymert duke i akorduar edhe  një milion euro për funksionimin!?

Të tallesh në këtë mënyrë me klubet e Superiores është e turpshme. Të gjithë ata që janë të interesuar për krijimin e Ligës e dinë që tashmë kjo Ligë është krijuar…Po, Po. Ka dhe një kryetar: Koço Kokëdhimen.

Natyrisht nuk funksionon se dikujt  nuk i leverdiste të funksiononte. Se pastaj si do të mund të bënte çfarë të donte me paratë e futbollit?

Pra mjafton që ta riaktivizojë atë strukturë që ekziston, duke bërë ndryshimet e duhura, nëse e ka seriozisht. Gjë që është shumë e vështirë të besohet.

Por ajo që sot tingëllon aspak serioze është pikërisht ngritja e kësaj çështje kur akoma nuk është shuar jehona e skandalit të fondeve të UEFA, të cilat , ligë apo jo ligë ,i ka menaxhuar si  ka dashur struktura  që nuk e kishte këtë të drejtë.

Zhurma e Ligës me siguri është thjesht një diversion për të harruar aferën e fondeve të UEFA,  për të treguar se klubet janë të pa afta të vetë menaxhohen, të bëjnë ligën .

Në përfundim të kësaj zallamahie përsëri do të kemi klube që secili më vete mundohet t’i hajë kokën tjetrit ndërkohë që dikush “ha”  paratë e tyre.

Ndaj Ligës, edhe këtë rradhë,  do t’i marrin  të…ligën.

Artan Shyti