I dashur president, mos i quani kancer ndeshjet e trukuara!

Më parë se të parashutonte Agostineli në stolin korçar, kur gjurmoje ndeshjet e Skënderbeut në kampionat, kishim dëgjuar rëndom një frazë krenarie: “ Kur luajmë në kampionat, mëndjen e kemi në Europë”. Shijet ndryshokan shpejt, sidomos kur ndodhesh në qelinë europiane si i dënuar dhe dëgjon frazën debutuese në gjuhën italiane: “ Luajmë në fushë dhe as nuk kemi lidhje me ato që ngjasin me ne në Europën e UEFA-s”. Dikush, një zë autoritar nga klubi,ose edhe nga lart, duhet t’i kishte thënë trajnerit se ka marrë kasetën e gabuar, sepse ajo që ngjet në fushë është  reflektim shpirtëror i ekipit, të cilin e keqpërdorën dhe nuk po guxojnë ta mbrojnë me avokatët më të shtrenjtë, siç ndodhi me Kombëtaren.

Presidenti Takaj na ofron gjithnjë një muzikë monotone “ e kemi marrë një herë dënimin dhe tani po presim përgjigje”. Presidenti despotik në FSHF,  tamam si në një lojë futbolli të mbushur me finte, po aq sa edhe me hile, shfaqet para studentëve në  një auditor steril dhe i mahnit të gjithë kur lëshon frazën që vetëm ai nuk mund ta thotë: “ Ndeshjet e trukuara janë kanceri i futbollit”. Kjo deklaratë është si vetëtimë në qiell të pastër, kur dëgjon presidentin të blasfemojë kundër ndeshjeve të trukuara, i vetmi projekt i zbatuar me shpirt nëpër dhëmbë  këto vite dhe do të ishim bukshkalë po t’ia mohonim kontributin.

Gezim Sinemati