Gafa perlë e arbitrit turk Çakir, i bën çakërqejf arbitrat tanë

Nëse do të bëhej një film për ato që kanë ngjarë me arbitrat  deri në gjysmën e kampionatit,  regjizori do të bënte një ndryshim jo fort të zakonshëm në ndarjen e roleve. Rolin kryesor, pa hezituar për asnjë moment,  do ta luanin ca njerëz me të zeza dhe as fare futbollistët, për të cilët propagandohet se janë pushtetarët e vërtetë të fushës.  Me ngjarjet fort të çuditshme  dhe enigmatike që kanë ndodhur në zonën e 16-es , kur “vrasësi”  shfaqej  herë me bilbil dhe herë me flamurin e anësorit,një here me stemën e ndërkombëtarit dhe një herë pa stemë, do të ishin edhe vetë futbollistët që do të pranonin me urtësi titullin e filmit: “ Bilbili që shpon topin, pastaj dhe..xhepin”. Një gjysmë sezoni i papërjetuar ndonjëherë, ku topi i “gabimeve njerëzore” është flakur jashtë stadiumit dhe askush nuk shqetësohet ta kapi, dhe në fushë është një top tjetër,  i cili nuk futet dot në rrjetë pa bekimin e njeriut të veshur me të zeza, misionari i “kishës”  zyrtare.

Pyetja që bëhet më shpesh: përse pikërisht në këtë sezon? Dikush thotë se i kanë helmuar qysh në fillim të sezonit dhe bëmat nuk do të ndalen deri në fund të kampionatit. Një version tjetër jep një shpjegim  bio :  arbitrat tanë kanë lektorë anglezë nëpëer seminare,  po kur dalin në fushë vendosin “lektorët” shqiptarë. Një alibi që kushton miliona shpenzime,  pale kur kujton emrat e nderuar të mësuesve të tyre të huaj  si Stiv Benetit, Uebit, apo Dallasit. Mësues që po të shikonin kasetën me 13 rastet me prepotente që kanë djallosur lojën, me siguri do të pyesnin: “po ne , ku jemi në vendimet e tyre?”

E dini çfarë kanë kurdisur në ditët e fundit të Vitit? Cili avokat do t’i mbronte më mirë se një mesazh lakonik që kanë nisur në adresë të Sfiantit.al. Ja teksti  i mesazhit: “ I dashur Sfidanti, shikoje pak momentin e penalltisë së dhënë nga arbitri më i mirë në Europë, turku Çakir në ndeshjen e kampionatit midis Rizesporit dhe Osmanlinsporit.  Portjeri ka prekur topin me dorë dhe Çakiri ka akorduar penallti, sikur ta kishte kapur ndonjë futbollist..” Për të mbrojtur veten, kanë dalë në gjueti ndërkombëtare dhe kanë futur në thes edhe më të mirin, Çakir. Dëgjoni se si thumbojnë më tej: “ Kujdes kur të gjykoni arbitrat shqiptarë, sepse ky tipi..Çakiri, është nga ata që fiton afro 500.000 euro në vit”. Morali ta këput kokën:  Kur gabon turku që fiton gjysmë milioni, përse të mos gabojë edhe ..shejtoni!

Sfidanti.al