Gabojnë Jorgji dhe Jemini, njëri shkon në maviolë dhe tjetri në ..ferr!

Arbitrat, sa për sy e faqe, shtiren sikur janë një familje, ku të gjithë pjestarët nderojnë dhe bekojnë punën e njëri- tjetrit. Kjo është lëvozhga, sepse nga brenda nuk gjen dashuri, bile edhe “spiunojnë” në kurriz të tjetrit. Dhe në këtë kampionat, ku “bilbilat” kanë patur një nisje impresionuese me gafa, nuk ndryshon fati midis të mirëve dhe të këqinjve. Të gjithë janë futur në një thes, dhe kjo favorizon alibinë se “ kemi fituar disa arbitra të rinj”.

Prej javësh, duke ndjekur hit-parade-n e  arbitrave, emri i Enea Jorgjit lakohej si vlera e momentit, i aftë për të fituar duelin edhe me “magjinë e zezë” të një futbolli që nuk kapërcen dot dyert e infermierisë.  Por, mjafton një ndeshje dhe lumturia është zhdukur, duke i dhënë jetë frazës “ kujdes, është e ndaluar të festosh gjatë”.

Jorgji, pas ndeshjes që vazhdon të luhet në gazeta, Partizani-Skënderbeu, ka bërë sakrilegj duke i bërë maviolë vetes..për të shpëtuar lëkurën. Familja e arbitrave ka rënë në hall dhe të gjithë pëshpërisin me dyshim: “ Moda e maviolës për arbitrin do të jetë ..varri ynë”.  Sikur të kishte këtë luks edhe Jemini, arbitri që është zhdukur pa lënë gjurmë për një penallti të padhënë ndaj Erzenit, ekipit të qytetit të presidentit të futbollit, dhe t’i bënte maviolë vetes për të bërë një “mea culpa”.