FUTBOLLI SHQIPTAR OSE  NJË RRUGICË QË KËRKON DIELL

Arrestimi i presidentit të federatës spanjolle te futbollit nuk duhet parë si një ngjarje rastësore dhe një veprim rutinë i drejtësise spanjolle. Ndërsa nën presionin e hapur të opinionit publik dhe politik ndërkombëtar institucioni boteror i futbollit ka filluar proçesin e “purifikimit” të  brendshem, lajmi nga Spanja na bën të kuptojmë se ky proçes po shtrihet edhe më poshtë, dmth ndër federatat kombëtare.

Dhe nuk kishte si ndodhte ndryshe. Format sulltanore të drejtimit të FIFA-s dhe UEFA-s që u bënë të dukshme pas shpërthimit të aferave Blatter dhe Platini jane kopjuar edhe nga nxënës të tyre në federatat anëtare. Nën ombrellën e FIFA dhe UEFA disa jane vetëgraduar “pashallarë” duke u sjellë si të pacënueshëm deri edhe nga gjykatat në vëndet e tyre.

Kështu, Vilar nuk njihte rivalë në vendin e tij. Sundimi i tij afro 30 vjeçar në një institucion në teori demokratik si federata e futbollit do të mund të bënte ziliqar dhe sheiket autokratë apo edhe vetë monarkun e Spanjës. Ndërkohe që mbante i padiskutuar pozicionet e zëvëndëspresidentit në UEFA dhe FIFA ai u përfol dhe si pasues i mundshëm i Platinisë kur ky të zëvëndësonte Blatter në FIFA. Duke qënë se gjatë kësaj periudhe futbolli Spanjoll arriti në majat më të larta të atij Boteror, rasti i Vilar filloi te propagandohej (bile edhe në Shqipëri) si një shëmbull avantazhesh që jetëgjatësia e një presidenti mund t’i sillka futbollit të atij vendi.

Ndonëse nuk dihet ende se sa fajtor është Vilar është e qartë se ujërat në të cilet lundronte ky patriark i futbollit nuk paskërkan qënë dhe aq të pastërta sa na bënim të mendonim. Me sa duket ashtu si dhe në rastin e si-vëllezërve të tyre politikanë pushteti i pakufizuar në kohë dhe në kompetenca padyshim që korruptoka edhe vetë presidentët aq “futboll-dashës” të federatave.

Është kjo situatë që na bën të shpresojmë që rasti Vilar të jetë shenja qe proçesi i “vetingut” Euro-Amerikan në futboll do të shtrihet edhe ne hallkat në vijim të këtij sporti kaq të dashur por që popullaritetin ka ditur ta përdorë aq mirë për t’u shndërruar në miliarder. Emri i madh i futbollit spanjoll dhe arrestimi demostrativ urdhëruar nga drejtësia spanjolle e bënë rastin Vilar të bujshëm. Por në vitet e fundit në mjaft federata sidomos të vendeve ish-komuniste janë zhvilluar në qetësi përmbysje rrënjësore dhe eleminime kastash të mirëfillta që qeverisnin prej dekadash të pashqetësuara nën bekimin e “sulltanëve” në Zyrih dhe Gjeneve.

Po çdo ndodhë me futbollin Shqiptar? Sigurisht pa e paragjykuar aspak si fajtor per abuzime zotin Duka duhet të vëmë re mënjëherë se për sa i përket jetëgjatësisë në post ai është ndër ndjekësit më konsekuent të Vilar por edhe nga pikëpamja e autoritetit dhe kompetencave zor se ishte më pak i pushtetshëm se sa ai.

Po a ka shteti shqiptar institucione të afta të ndërhyjnë për zbatimin e ligjit në botën disi ishullore të futbollit shqiptar? A është drejtësia shqiptare kompetente dhe me integritet mjaftueshëm për të kryer investigime të ngjashme me ato te Spanjes, apo Italisë ca vite më parë? Në vijim, a i ka FSHF kapacitetetet dhe energjitë e brëndshme për të hapur proçese vetëpastrimi si ato që po ndodhin në FIFA apo federata homologe?

Këtu ka vënd për shumë pesimizëm. Ndërsa s’kemi parë ndonjë ministri sporti të marrë në analizë dyshimet që ngrihen për futbollin, kemi parë qartë në shumë raste se si çështje të çuara ne dyert e drejtësisë zvarriten me vite nëpër sirtarët e prokurorëve pa arritur kurrë se paku në gjykatë.

Nga ana tjetër kemi një federatë me klube pronare që nuk “ekzistojnë” as kur ju thuhet publikisht se me paratë e tyre po abuzohet, as kur shikojnë që institucioni i futbollit po shndërrohet në një ndërmarrje ndërtimi dhe as kur është bëtë e qartë për të gjithë se fituesit dhe humbësit në garat e futbollit paracaktohen aq banalisht. FSHF ka një komitet ekzekutiv pothuaj anonim dhe dukshëm krejt të pafuqishëm përballë presidentit-diell ndërkohë që nuk ja vjen të flasim fare pastaj për drejtësinë sportive. Përveç mungesës së plotë të personalitetit dhe integritetit të komisioneve (kujtoni përshëmbull komisionin qesharak të etikës) jemi në situatën ku çështjet e futbollit nuk bëhen dot as objekt i arbitrazhit sportiv shqiptar thjesht sepse drejtuesit e FSHF nuk duan ta bëjnë një gjë të tillë, ndonëse sanksionuar në ligj.

Tablloja duket shumë e errët. Po a ka ndopak dritë në fund të tunelit? Zor të japësh një përgjigje optimiste. Por ashtu si dhe pwr politikën e madhe pse tw mos shpresojmw qw shpëtimi të na vijë nga jashtë. Ja përse kemi dëshirë që ngjarje si ajo e Spanjës t’i shikojmë si jo të rastit por si pjesë të një proçesi që vazhdon. Futbolli shqiptar duket si një rrugicë që kërkon diell.

Ilir Pengu