Futbolli shqiptar, kapriço të fortësh dhe diktim për futbollistët

Vetëm në Shqipëri, futbolli nuk është më një lojë që kërkon fushë, por në të kundërt është kthyer në një kapriço të fortësh. Të gjithë ata që drejtojnë këtë sport mblidhen çdo ditë dhe përsërisin të njëjtat kërkesa drejtuar qeverisë, ndërkohë që kryeministri nuk duhet të jetë cënuar shpirtërisht nga mbledhjet e njëpasnjëshme të futbollit dhe kështu që nuk ka dhënë asnjë sinjal, se mund të bëjë hapa pas. Ndërsa pyetja se si do të luhet pas këtij bojkoti që po ha shumë kohë, duket se i nervozon më shumë aktorët e futbollit. Sipas Dukës, për momentin kjo është gjëja më e parëndësishme, por nga ana tjetër po sajohen lloje të ndryshme skemash, të cilat me rregullore duhet të ishin objekt i Komitetit Ekzekutiv që një vit përpara. Kështu, pronarët e futbollit që kërkojnë lëshime nga qeveria kanë menduar ta kompesojnë kohën e humbur, duke e hequr pushimin e janarit, por edhe kështu ka shumë mundësi që të mos e evitojnë ngjeshjen e kalendarit. Ndërkohë që një nga variantet më të mundëshme është përgjysmimi i Kupës së Shqipërisë dhe për këtë po mendohet që turet të luhen më nga një ndeshje.

Ndërkohë që Kategoria e Parë vazhdon një bojkot të detyruar, megjithëse këto klube nuk janë pjesë e Ligës, megjithëse mund të përfitojnë nga katër kërkesat e famshme. Këtu nuk është vendosur përfundimisht për skemën se si do të luhet dhe ende nuk u kanë përcaktuar as kalendarin. Fillimisht u tha me siguri, që dy skuadra, pikërisht Erzeni dhe Elbasani do të zbresin një kategori më poshtë, pasi nuk plotësojnë kushtet e liçensimit, por tashmë duket se në federatë kanë kthyer mendje dhe nuk do të ketë të penalizuar. Dhe kështu që futbolli ka mbetur duke u sorollatur nëpër tavolina, ndërsa atyre që e kanë profesion dhe kërkojnë të paguhen pa i kthyer asnjë lek shtetit në formë taksash, u japin çdo javë nga një letër ta lexojnë me zë të lartë. Pikërisht ky është një rit që duhet bojkotuar qoftë edhe për hir të publikut, sepse në këtë lloj diktimi futbolli vetëm stonon.