“Futbolli i luftës”, një ndeshje që do ta humbasin vetëm njerëzit e fushës

Ndërkohë që Europa ka filluar të qartësohet, duke vendosur gjithkush individualisht se çfarë do të ndodhë me futbollin e tij, në Shqipëri prej ditësh ka filluar një ndeshje e çuditshme. Fillimisht, të gjithë u përfshinë në garën e asaj që u quajt “paga e luftës”, që me fjalë të thjeshta nuk ishte tjetër, veçse një 300 mijë lekësh që në fund do ta bënte dikë të ndjehej si bamirësi më i madh i historisë së futbollit të këtij vendi. Ndërsa pjesa tjetër e lojës u përqëndrua tek talenti për të hartuar protokolle, aq sa FSHF-ja u kthye në një auditor provimesh të mbushur plotë me kopjacë, ndërsa qeveria si udhëheqëse e diplomës.

Ndërsa kjo po luhet tani duhet të jetë ndeshja e kthimit dhe është interesant fakti që po i thyen të gjitha rregullat e reja të Koronës, pasi po zhvillohet me tifozë. Lëvizjet e njëpasnjëshme të presidentit Duka duken të panatyrshme, për një njeri që është po kaq i afrueshëm me njërëzit, kryesisht kur i afrohet ora e zgjedhjeve. Fillimisht organizoi “on line” një Asamble, pikërisht nga ato që flet vetë duke falenderuar dhe ironizuar njëkohësisht, ndërsa të pranishmit qëndrojnë të heshtur, duke parë me bezdi orën. Ndërsa më pas thirri presidentët e të gjitha kategorive, por tani duke organizuar takime “live” nëpër salla, madje duke rrezikuar seriozisht që policia ta ndëshkonte duke e gjobitur dhe hequr patentën. Duka po insiston edhe i vetëm që futbolli të rinisë, aq sa po na vë në dushim për dashurinë që po tregon për këtë sport, ndërsa presidentët kanë mbetur asamblistë, pasi janë të gatshëm të pranojnë edhe pa dëshirë, vetëm sepse titullari po u thotë se ka shumë mundësi të dënohemi nga UEFA, nëse vazhdojmë të qëndrojmë të karantinuar.

Dhe kjo ishte vetëm një shprehje kërcënuese e sajuar në cast vetëm për t’i bindur, pasi nëse do të flitej për ndëshkime, atëherë kupat e Europës do të humbisnin Francën, Holandën, Belgjikën, Skocinë… dhe së fundi edhe Shqipërinë e Dukës. Ndërkohë që rezultati ni kësaj ndeshje, qoftë edhe për faktin se po luhet këtu, duket i paravendosur. Duka fiton dhe kjo as që diskutohet, presidentëve do t’u rriten borxhet, ndërsa ata që do të zbresin në fushë vetëm do të humbasin, pasi do t’u shtohen zerot në rrogat e papaguara.