Edhe “futbolli i çative” duket i bukur në Gjirokastrën e dënuar!

Në librin e famshëm të Kadaresë “Kronikë në gur” ka një moment pikant ku thuhet se çatitë janë vendosur në mënyrë të atillë sa mund të hidhesh nga njëra tek tjetra pa patur frikë. Mirëpo, një imagjinatë e hollë në libër, është bërë realitet në futbollin e vitit 2017-të. Tifozin gjirokastrit ku nuk e gjeje në ndeshjen e lavdishme ndaj Partizanit, disa përmbi çati,  të tjerë në tarraca pallatesh, ndërsa të tjerë kishin improvizuar “tribunën”  në majë të pemës. Përse kjo skenografi  mjerane tifozësh, kur meritonin të shikonin nga afër ndersa ekipi i tyre lodronte me Partizanin, në një ditë dehëse? Futbolli që ndiqet nga çatia, nuk ishte pjellë e fantazisë për të zbuluar trillin e qytetit,  por një dënim nga Federata, nga ato dënimet kolektive që lënë pa gojë jo vetëm stadiumin, por edhe gjithë futbollin.  Jemi mësuar aq shumë me futbollin që dënon popullin e vet, sa nuk kemi frikë të ofrojmë edhe pamjet  e vetme ku Gjirokastra atipike nuk dukej e bukur, madje tejet e rrezikshme,  sa u dashka konvertuar koka me ..topin.

Askush nuk  e kishte menduar se “futbolli mbi çati” do të ishte aq i mbarë për ta, sa do të harronin që ishin të dënuar, por festonin golin e depërtimit elegant të Abazaj, sikur të ishin në vendin që u takonte.  Një gol i bukur nga mënyra e goditjes,  që zbukurohej më shumë edhe nga gjesti teknik i sulmuesit  Kristal Abazaj, i cili  në marshimin e tij me top drejt portës së kuqe,  kombinonte topin me të dyja këmbët , për të dërguar një lajm të keq  për Hoxhën me të majtën e hidhur.  Një aksion që nisi pranë vijës  së mesit të fushës dhe që mori emrin e tij “veprimi kristalor”, pasi në kronikën e kësaj ndeshjeje të shurdhët ishte zhurma më e bukur. Sidomos kur dëgjon, tani, të gjithë që pyesin: nga erdhi ky Abazaj? Mos e ka sjellë me vete trajneri sërb?  Pse nuk luan me Shpresën kur mosha dhe talenti i tij janë imponues?  Luftëtari i ka prishur kaq shumë qejfin ekipeve të mëdha, sa nuk mbahet mend që një ekip që vjen për të shpëtuar lëkurën në Superligë, ndërkohë që po i heq “skalpin” duke thënë se nuk na duhet Europa, një hall tjetër më të madh kemi..

G.Sinemati