Do vijnë legjendat më 11 janar, po Pano, Ali Mema  e Sabah Bizi çfarë janë? 

Nuk themi se janë më të mirët ndër breza,  nuk e themi me modesti se do të luajnë veteranët e Kombëtares,  sepse është më shqiptare kur  reklamohet me pompozitet si ndeshja midis legjendave!  Atë ditë,  më 10 janar, kur do të bëhet ndeshja midis “legjendave” të  Shqipërisë, Greqisë, Turqisë dhe Italisë, nuk do të ketë vend për asnjë futbollistë poshtë kategozimit “legjendë”. Po si peshohen legjendat në kandarin e futbollit tonë ?  Apo  në një vend të tejmbushur me presidentë, shefa, komandantë  apo profesorë e doktorë ,  s’i  do të shpëtonte futbolli  pa prekur qiellin e shtatë  të vetëmburrjes. I tillë është ky  lloj futbolli, i cili  kur luajnë legjendat dhuron çmime simbolike biletash, ndërsa kur luajnë futbollistët e thjeshtë,ata pa grada,  mjafton t’i  trukosh me  fanelën e Kombëtares , çmimi i biletës të ngre qimet përpjetë..

Por, nëse me të vërtetë do të pranonim se legjendat që do të dalin në fushë janë mëse të vërteta,   dhe këtë për hir të qëllimit të ndeshjes për të mbledhur ndihma për të dëmtuarit e tërmetit, po Panajot Pano, Ali Mema  dhe Refik Resjma  si do të mund t’i quanim,  sepse po t’i pagëzonim  legjenda edhe ata, do të ishte një e pavërtetë e madhe. Me këtë rast, le të kujtojmë fjalët e të madhit Perlat Musta,( nuk po e quajmë legjendë për t’i  bërë nder, për ta veçuar nga të tjerët) ,  në një ditë speciale kur disa  futbollistë do të merrnin titullin në presidencë: “ E dini sa herë kam ardhur në Presidencë për dekorimet e futbollistëve gjatë kohës së demokracisë? Më duket se më shumë kam qënë këtu, se sa kam luajtur me Partizanin..” Pra, jemi të gjithë të dekoruar, jemi të gjithë legjenda, punë e madhe se futbolli që luajmë nuk meriton asnjw gradë…

G.Sinemati

Botuar ne Panorama Sport