Derbi i madh, apo ndeshja e atyre që kanë harruar titullin!

Luhet Tirana-Partizani që, normalisht mund të quhet ndeshja më e madhe e futbollit shqiptar. Derbi kryesor i kryeqytetit dhe sfida e skuadrës me më shumë tituj kampion, 24, dhe asaj që është e treta, me 15. Deri këtu në rregull, por për këto kohë ka diçka që prish vërtet shumë punë.

Tirana e ka fituar titullin e fundit në 2009-ën dhe asnjë nga ata lojtarë sot nuk është më në fushë. Këtë sezon bëhen 10 vjet, një dekadë, që nga gëzimi i mbramë, dhe meqë “dita duket që në të gdhirë”, gjasat janë që pritja për tifozët bardheblu do të vazhdojë.

Edhe më keq për ata të Partizanit. Të kuqtë e kanë titullin më të “freskët” në 1993, kur trajner ishte Sulejman Starova dhe në fushë ishin Ilir Shulku, sot Sekretar i Përgjithshëm i FSHF-së, Ylli Shehu, Adnan Ocelli, Edmond Dosti, Alfons Muça, Nikolin Çoçlli, Alban Tafaj, apo edhe ish-mbrojtësi i kombëtares, Adrian Aliaj. Kohë tepër të largëta.

Kjo pritje sikur ia ka zbehur pak rëndësinë derbit, dhe këtë e ndjejnë edhe tifozët, që sa më shumë zhgënjehen, aq më koreografi të bukur krijojnë. Këtë e ndjejnë edhe analistët, shumica kryeqytetas, të cilëve u ra goja duke thënë që “më në fund titulli të kthehet në Tiranë”. Me sa duket, këtë sezon do të bëhen të gjithë me Partizanin.

Sfidanti.al