De Biazi në avion: pse Mavraj i Bundeligës nuk ngjet me tonin?

E kanë pyetur një herë trajnerin De Biazi : “ Pse kampionatin shqiptar e shikon me bisht të syrit. Nuk ju kanë thënë se jetë e mot ka qënë buka e Kombëtares”. Italiani ka qeshur në atë mënyrë, sikur të kishte thënë se ka ardhur koha për të shijuar një bukë tjetër. Dhe “buka italiane”  arriti kulmin në ditët e Europianit kur të gjithë besonin se nuk mund të gjenim një tjetër “Magelan” për të zbuluar në brigjet e pashkelura, talentet me të njëjtin grup gjaku.Dhe sa më shumë i largohej kampionatit tonë të futbollit, aq më shumë ndryshonte edhe lista e futbollistëve që gëzonin ftesën. Edhe në këto momente, kur kriza është një amalgamë teknike dhe morale, ndërkohë që ndihmësit ia kanë mbathur në kërkim të një fati tjetër ( Tramezani, Bushi, Bogdani),  De Biazi edhe i vetëm në këtë betejë të humbur,  nuk lodhet duke e kërkuar fatin në Europë. Edhe nëse nuk ka “talente” si në ditët e bollëkut,atëherë, do të rizbulojë personazhet enigmatikë, të cilët janë ndryshe kur luajnë me klubet, dhe krejt ndryshe me Kombëtaren.

Dhe cili do ta zinte vëndin e parë në këtë listë, përveç mbrojtësit Mërgim Mavraj.  Trajneri De Biazi do të udhëtojë për në Hamburg për të parë ndeshjen e fundjavës me Leverkusenin, bashkë me pyetjen provokuese: Si ka mundësi që Mavraj që përzgjidhet në formacionin e Bundesligës, në ndeshjet e fundit të Kombëtares ka lëshuar hijen e fantazmës në fushë, madje kur ka folur për ndeshjet, i paska ngritur qimet e kokës trajnerit. Si në lojë,ashtu dhe fjalët, dolën të paqëndrueshme pas Izraelit. Një herë tha se “ fajin e kishte policia”, ndërsa më pas ndreq shënjestrën “ kam qënë i pamotivuar”.  Të gjithë gabuan atë ndeshje, nuk shpëtuan as padronët kuqezi, fytyra e të cilëve spiunonte se humbjet nuk maten vetëm me pikë. Kurse tani, tepër me vonesë,  vonesë fyese për të gjithë, trajneri ka zbuluar se midis “trinisë mëkatare” të kësaj ndeshjeje,portierit Berisha, Gjimshitit dhe Mavrajt, ky i fundit u dashka të paguaj. S’paska qënë gjë shiriti i kapitenit që nuk ia dhanë pas largimit  të Canës, ngaqë në Hamburg, ato që do të thotë fusha, do jenë shumë pak në krahasim me ato që do të shkoqisin kokë më kokë para ndeshjes me Italinë..

Gëzim Sinemati