Arbitra dorëzoni “armët” (celularët), por mos dorëzoni ..kokën !

Mos i merrni më në telefon arbitrat gjatë ndeshjeve! Do të dëgjoni një zë tjetër, do t’iu duket si zë spiuni. “spiuni”. Kjo këshillë është për ata zanatçinj  që ishin mësuar të komunikonin me “takt”  me arbitrat , mu në pushimin e pjesëve. FSHF, ose më mirë të themi “kujdestarët e mëkatit” kanë vendosur të mbledhin celularët para ndeshjeve,  meqë rastet e flirteve me celularë po prishin terezinë e centralit kryesor .. në zyrat e reja të Federatës. Tani e tutje, nuk do të dëgjohen më zëra të ndryshëm “fantazmash dhune”, por vetëm një zë që vjen nga brenda familjes,një “prind” që  të dërgon tek dhuna në një formë tjetër..

Çfarë dreqin mund të ketë ndodhur këtë javë , përse shkoi puna deri tek celularët? Ajo që përflitet se ka ndodhur nuk është një gjëmë që ka ardhur nga celulari, por nga zemra e tribunës në stadiumin e Laçit, kur luanin Laçi dhe Kukësi.  Dikush  nga stafi i Laçit paska  zbritur ngeshëm tek dhoma e arbitrit dhe i ka bërë atë “magjinë” e njohur midis arbitrave, që të godasin dhe ti nuk mban mend asgjë! Arbitri Bajramaj , edhe pse shumë i ri për të mos mbajtur mend, ka mësuar nga më  të vjetërit, qysh në hapat e parë, se moskujtesa  pas dhune është ilaçi më i mirë..

Mbetet e paharruar  ajo fraza e njohur në teatër : prapë unë usta? Edhe arbitrat, po të kishin gojë dhe pak fare kurajë, kështu do t’u  luetshin  ustallarëve të tyre. Mirë që i  dhunonim “paq”  kur ishin stadiumet plot, por ç‘dreq fati qënka ky,   kur nuk i shpëtojnë dot ritualit të zdrugimit edhe kur stadiumet janë të boshatisur nga tifozët !

Sfidanti.al