Anglia e Kroacia në delir, besim i plotë për fitoren në gjysmëfinale!

Ndoshta nuk kishin besuar të ishin këtu deri tani. Tifozët anglezë kanë qenë gjithnjë optimistë, janë quajtur shpesh edhe arrogant, veçse kjo Angli I kishte bërë me zemër. Sidoqoftë, kombëtarja e shpikësve të futbollit është në gjysmëfinale dhe publiku anglez, në Samarë, në Londër apo kudo qoftë, është në delir.

Trajneri Garet Sauthgejt po ashtu është I lumtur, por I përmbajtur. “Kjo është dita ime më e mirë në karrierën si trajner, – tha Sauthgejt pas ndeshjes, – por ne nuk duhet të kënaqemi me kaq, duhet të mbetemi këtu edhe për një javë. Suksesi ka ardhur vetëm nga forca e skuadrës”.

Jehona mediatike ishte madhështore. “Sandi Telegraf”: Përpara! Anglia marshon në gjysmëfinale! “Indipendet”: Në majë të Botës! Na prit Kroaci! “Sandi Tajms”: Shpresë dhe lavdi! “Star Sport”: Ja ku jemi! Ëndërr suedeze, ndërsa Sauthgejti udhëheq 3 luanët në gjysmëfinalen e parë botërore në 28 vjet”. Vetë skuadra nuk pati kohë për kremtim, por pati një seancë shlodhëse pas fitores ndaj Suedisë.

Lumturi edhe më e madhe në Kroaci. Futbollistët festuan gjatë në dhomën e zhveshjes, madje duke kënduar këngë që mund t’i kushtojnë, pasi FIFA ka hapur një hetim. Në ekstazë edhe presidentja Kolinda Grabar-Kitaroviç. Për tifozët është e kotë të flitet. Qytetet kroate sikur u dogjën nga festa, më e madhja që nga viti 1998 kur Kroacia arriti për herë të parë në gjysmëfinale të Botërorit.

“Nuk e kam zakon të qaj, por ia vlen pas këtij suksesi, – ishin fjalët e trajnerit kroat, Daliç, – ndaj Rusisë ishte një betejë, por ne nuk jemi lodhur, do të kemi plot energji për Anglinë. Ne nuk duam të ndalemi”.

Mediat kroate nuk mbetën prapa atyre angleze. “Jutarnji List”: Kroatët nuk dorëzohen! Fitore ndaj rusëve, betejë me anglezët për finalen! “Sllobodna Dalmacija”: Do të rrëzohen edhe anglezët, do të jemi kampionë! Të zjarrtët mposhtin rusët, rruga për në parajsë është e hapur! “Sportske Novosti”: Moskë, po mbërrijnë kroatët! Të dashur anglezë, sa të lumtur jemi që ju shohim përsëri!

Sfidanti.al