Viti 2020, Mesi synon rekordin e madh të legjendës Pele!

Me 643 gola në ndeshjet zyrtare, “Mbreti” i futbollit mbetet numri 1 i rrjetave me një klub të vetëm. Pele i shënoi këta me fanelën e Santosit, dhe asnjë nga legjendat e tjera, Di Stefano, Gerd Myleri, Maradona, apo Kristiano Ronaldo nuk mundi ta mbërrinte apo ta kalonte. Gjithsesi, viti 2020 mund të sjellë “përmbysjen e botës”, pasi Lionel Mesi është vetëm 25 rrjeta larg rekordit historik. Magjistari argjentinas ka realizuar 618 gola për Barcelonën dhe, me mesataren 40-50 gola në vit, i ka të gjitha gjasat që të dalë ai në vend të parë.

Për katalanasit, Mesi është i pakrahasueshëm dhe shpejt ai do të ketë trefishin e golave të vendit të dytë në renditje, Sesar Rodrigezit që ka 232. Me 432 gola në La Liga, Leo është i shkëputur nga Ronaldo (311) dhe nga ish-rekordmeni Telmo Zarra, që kishte 251. Me 6 Topa të Artë, 6 Këpucë të Arta, 4 Champions apo 10 La Liga (mund të jenë 11 këtë sezon), ai zë një vend të veçantë në historinë e futbollit.

Sfidanti.al