Vetëm Superliga europiane mund ta shpëtojë Bundesligën nga Bajerni!

Nuk ka kampionat të rëndësishëm në Europë ku tifozët të kenë kaq shumë ndikim sa në Gjermani. Veçse, nuk ka kampionat të madh kontinental ku tifozët të jenë me më pak shpresë sesa në Bundesligë. Fitorja e lehtë e Kupës së DFB-së nga Bajerni ishte plotësimi i “dopios” së trofeve, bashkë me titullin në Bundesligë, e 11-ta herë që ndodh që nga viti 2000. Thuajse një dominim absolut.

Përse kështu, në një ligë ku tifozët kanë të paktën 51 për qind të aksioneve në çdo klub? Pikërisht kjo është “thembra e Akilit”, pasi Bavaria është Landi më i pasur gjerman, përsa i përket të ardhurave për frymë (48 000 euro për person në vit). Shtoi këtyre edhe traditën si Principatë e veçantë gjatë një historie shumë të gjatë, besimin katolik, vlerat konservatore, deri edhe alpine, dhe do të kuptoni se përse për bavarezët identiteti lokal është kaq i rëndësishëm.

Shkurt, tifozët e Bajernit janë më të pasurit në Gjermani, dhe kjo nisi të bëjë diferencën që në vitet 70-të. Më pas, përqëndrimi i fuqisë në Mynih, qyteti i tretë më i madh gjerman, bëri diferencën në krahasim me Landin e Vestfalisë së Rinit të Veriut (Nordrajn Vestfalia), që është vërtetë Landi me ekonominë më të fortë, por aty ndodhen shumë qytete të rëndësishëm si Këlni, Dyseldorfi, Dortmundi, Eseni. Në Bavari është kryesisht Mynihu.

Sukses pas suksesi dhe Bajerni krijoi dominimin me anë të përvojës më të madhe, dhe afrimit të lojtarëve më të mirë të Gjermanisë. Në Gjermani nuk kanë dëshirë ta thonë, por Bundesliga do të shpëtojë nga diktatura e Bajernit vetëm nëse krijohet Superliga e Europës, dhe bavarezët “shporren” për atje.

Sfidanti.al