Vetëm Napoli si Barcelona, por Sarri: Ne për titull? Po shkoj të fle, është vonë!

Batutën e ka po aq të lehtë sa Zhoze Murinjo, madje është edhe më simpatik. Mbetet “trim me fletë” me një skuadër që ka vetëm yjet në fushë dhe pak stol, dhe që luan futbollin më të bukur në Europë, besohet edhe më mirë sesa Barcelona. Është Napoli kjo skuadër dhe trajneri i saj quhet Mauricio Sarri, “un italiano vero”, siç do të këndonte Toto Kutunjo (jo Kutinjo). Formacioni partenope kaloi me notën “10 me yll” një provë tepër të vështirë në stadiumin “Olimpiko” të Romës ndaj Lacios vendase, duke fituar 4-1, edhe pse e humbi 0-1 pjesën e parë.

Pa Lionel Mesin që të zgjidhë çdo gjë me një prekje, Napoli ka “tenorët” e tij si Mertens, Kajehon, Insinje apo Hamshik, por edhe një “tenor” në mbrojtje si Elseid Hysaj (që nuk e pati këtë herë derbin me Strakoshën). Ka edhe Sarrin që i shkrin së qeshuri që të gjithë ata që e dëgjojnë edhe në 11 të natës. “Ne për titull? – tha ai pasi u pyet, – është vonë, më falni, po shkoj të fle sepse nesër kemi stërvitje dhe në fundjavë luhet përsëri”. “Jemi në krye së bashku me Juventusin, por periudha është kaq e shkurtër saqë nuk ka asnjë rëndësi, – vazhdoi ai, – përgëzoj lojtarët dhe gjithçka përfundon këtu”. Napoli ka 15 pikë, pra 5 fitore në 5 ndeshje, po aq sa Juve apo sa Barcelona në Spanjë, dhe me golaverazhin 19-5. Vetëm katalanasit janë pak më mirë sepse kanë pësuar më pak gola (19-2).

Sfidanti.al