Uestbruk barazon rekordin tjetër të Robertsonit, synon ende!

Njërin rekord e kishte barazuar me herët me 41 “tripëll dabëlla” sezonalë, ndërsa tani barazoi edhe tjetrin. Rasëll Uestbrukut i duheshin edhe vetëm 6 asistë që të mbyllte sezonin me një “tripëll dabëll”, pra që t’i kishte me dy shifra edhe asistet, ashtu si pikët dhe topat në tabela. Ia doli pasi në përballjen e Oklahomës në fushën e Feniksit realizoi 23 pikë, kapi 12 topa në tabela dhe shërbeu 8 asistë. Trajneri Billi Donovan nuk e la gjithsesi në fushë për 2 minutat e gjysmë të fundit, gjatë të cilave Uestbruk mund ta kishte thyer rekordin e Oskar Robertsonit, për të arritur në 42 “tripëll dabëlla” në një sezon, pasi i duheshin edhe vetëm dy asistë.

Rasëll nuk luajti edhe aq mirë (6 gjuajtje të realizuara nga loja nga 25 të provuara) dhe ky protagonizëm i tepruar i tij ndikoi që Oklahoma të mundej thellësisht 99-120 në Arenën e Feniksit, ku shkëlqeu 20-vjeçari Devin Buker me 37 pikë. Uestbruk ka në dispozicion edhe tri ndeshje të tjera për ta thyer rekordin e Oskar Robertsonit, ndërsa mesataren e “tripëll dabëllit” sezonal (diçka e jashtëzakonshme që kishte ndodhur vetëm në 1962) e ka me 31.7 pikë për ndeshje, 10.7 topa në tabela për ndeshje dhe 10.4 asistë për ndeshje.

Sfidanti.al