Trofeu i tretë për Strakoshën, Lacio fiton Kupën e Italisë

Ishte 18 vjeç kur nisi të provonte shijen e trofeve, ndërsa tani është 24 dhe është mësuar me ta. Tomas Strakosha bëri të vetën Kupën e dytë të Italisë, pas triumfit në finalen e luajtur ndaj Atalantës në “Olimpiko” të Romës. Në stadiumin e shtëpisë, portieri i kombëtares shqiptare pati meritat e tij në suksesin e kryeqytetasve, që u sigurua me dy golat e vonshëm nga Milinkoviç-Saviç dhe nga Korrea.

Ishte një ndeshje shumë e fortë që vuri përballë dy skuadra në formë në Serinë A, sidomos Atalantën, ndërsa Lacio ishte më e “uritur” për trofe, pasi bergamaskët janë shumë më pranë kualifikimit për në Champions. Po ashtu, ekipi i trajnerit Inzagi u mbështet tek përvoja më e madhe, pasi në 2013 u fitua Kupa e Italisë, në 2017 Superkupa po e Italisë, ndërsa tani sërish Kupa. Kjo ishte Kupa e 7-të e Italisë në historinë e klubit.

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, doli i humbur pavarësisht një prove të mirë. Atalanta ishte pak më poshtë në pjesën e parë, ndonëse pati një rast të shkëlqyer për gol, por u tregua më e fortë pas pushimit, duke mos pasur fat. Pretendoi edhe për penallti, por nuk menaxhoi siç duhet minutat e fundit, kur pësoi edhe golat.

Sfidanti.al