Tridhjetë fitore radhazi në shtëpi, ja rekordi i ri i Juventusit!

Frederik Veseli pati mundësi të luante qoftë edhe 20 minuta në një ndeshje historike. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare hyri në fushë në minutën e 70-të për të qenë edhe ai pjesë e festës, veçse të ekipit kundërshtar, Juventusit. Kampionia e Italisë mundi 2-0 Empolin në Torino dhe arriti fitoren e 30-të radhazi në fushën e vet, një rekord i vërtetë i Serisë A. Sukseset radhazi në stadiumin e tyre për juventinët nisën që në shtator të vitit 2015 dhe vazhdojnë ende.

Suksesi ndaj Empolit ishte 2-0, me gola të shënuar në pjesën e dytë. Fillimisht, një autogol i Skorupskit (edhe pse e pretendon Manxhukiç) në 52’, dhe pastaj goli shumë i bukur i Aleks Sandros. Kjo bëri që Juventusi të ngjitet në kuotën e 66 pikëve, 10 pikë mbi Romën që luan të dielën në mbrëmje me Interin, ndërsa Napoli ka mbetur më prapa. Trajneri Alegri bëri rotacion me Bufonin jashtë ekipi, Lihtshtajnerin në stol, Bonuçin kapiten, dhe Dibalën në fushë vetëm në 16 minutat e fundit.

Sfidanti.al