Tri herë Mesi është “melhemi” për krizën e Barcelonës!

Për një lojtar të tillë thuhet se është “I pafundmë”. Pikërisht në momentin më të keq të sezonit për Barcelonën u shfaq Lionel Mesi që shënoi 3 gola dhe siguroi fitoren që largon krizën. Sukses 4-1 ndaj Seltës në “Kamp Nou”, dhe dalje sërish në krye të renditjes, me pikë të barabarta me Realin, nga 25, por me golaverazh më të mirë (+18 ndaj +16). Kapiteni kaloi të vetët në epërsi me penallti në 23’, pastaj realizoi për 2-1 nga goditja e dënimit në të 45-ën. Tri minuta më pas shënoi sërish me goditje dënimi për 3-1, ndërsa goli i katërt u realizua nga Sergi Buskets.

Edhe pse e nisi sezonin i dëmtuar, numri 10 po shton sasinë e golave dhe tani është në vend të dytë në renditjen e shënuesve të kampionatit, me 8 rrjeta, vetëm një më pak se lideri Karim Benzema i Realit. Tashmë, Mesi ka 46 gola nga goditja e dënimit për Barcelonën, duke qenë një specialist. Po ashtu, barazon Kristiano Ronaldon me 34 tregolësha në La Liga, duke qenë dy më të mirët e historisë. Gjithsesi, portugezi mund të jetë i lumtur sepse tregolëshat e tij i ka arritur në më pak ndeshje se argjentinasi.

Statistikat e tij janë të shkëlqyera me 427 gola në La Liga në vetëm 459 ndeshje, me mesataren e jashtëzakonshme prej 0.93 golash për ndeshje. Në total me Barçën ka 612 gola (në 698 ndeshje), ndërsa bashke me kontributin për Argjentinën, arrin në 680 gola. i duhen edhe vetëm 20 që të arrijë në 700, aty ku Ronaldo arriti pak ditë më parë.

Sfidanti.al