Tiranën sot nuk mund ta shpëtojë vetëm “fanela e rëndë”!

Një nga historitë më të keqpërdorura në botë është ajo e emrit të madh dhe fanelës së rëndë të një klubi. Në Shqipëri, kësaj “kënge” ia kanë mbajtur “ison” disa, dhe më së fundi, Tirana. Teoria e “fanelës së rëndë” nënkupton disa fuqi të mbinatyrshme, magjike, që e bëjnë skuadrën që e vesh atë të pamposhtur, të aftë për të fituar gjithnjë, çfarëdo futbollistësh që të ketë, çfarë do trajneri, madje edhe pa trajner fare. Një lloj Anteu modern!

Partizani e mendoi këtë teori shumë vite më parë dhe u rrëzua nga kategoria, jo një, por dy herë, ashtu siç Tirana po rrezikon për së dyti. Madje, bardheblutë kanë më pak justifikime se të kuqtë, pasi kur këta të fundit ranë për herë të dytë, u kishin marrë edhe kompleksin dhe i kishin lënë në rrugë. Tirana, ndërkaq, nuk është pa kompleks sportiv, madje nuk ka qenë as në kohën para 1990-ës!

Për të kuptuar se kjo teori e “fanelës së rëndë” shkakton dëm të pariparueshëm, nëse nuk kuptohet siç duhet, mjaft të shikohet Tirana sot. Përveç trajnerit në stol, Ardian Memës, dhe fare pak të tjerëve në ekip apo ndër trajnerët e akademisë, nuk shikon askënd që ta meritojë atë fanelë të rëndë. Në skuadrën e sotme, ndryshe nga “refreni” “çun Tirone”, më tironas se cilido tjetër duket Majkëll Ngo, një anglez me origjinë afrikane!

Atëherë, dalim tek profesionalizmi, tek parimi i meritokracisë, që duket se ka humbur te ky klub kaq i madh, ku kanë punuar Lame Konomi, Xhavit Demneri e Lym Alla, për të mos folur për Selman Stërmasin, apo vitet e fundit Shkëlqim Muça, që fitonte tituj si trajner e si shef klubi, dhe që po i fiton sot titujt si shef i klubit shumësportësh Partizani. Çfarë ironie, ë?!

Skuadra me fanelën më të rëndë në Shqipëri ka sot provën e së vërtetës, në “Selman Stërmasi” ndaj Kastriotit, dhe është e sigurt se nëse fiton, atë nuk do ta shpëtojë vetëm fanela, pasi nuk është një prodhim i industrisë së veshjes që bën lojën në fushë dhe historinë, atë e bëjnë vetëm njerëzit.

Sfidanti.al