Tirana kap “xhek potin” 2 milionë euro, Gjici kërkon “kokën” e Volfsburgut!

Emanuel Egbo ka të drejtë kur thotë se shumë gjëra në jetë nuk arrihen nga fati, por nga puna (ai thotë edhe nga besimi tek Zoti, ndonëse unë mendoj ndryshe). Gjithsesi, kur goglat të fluturojnë menjëherë për në plej ofin e Ligës së Europës, atëherë ky quhet vërtet fat, madje me “F” të madhe. Tirana, kampionia e Shqipërisë, do të duhet të fitojë vetëm 1 ndeshje për të realizuar ëndrrën e madhe të këtij sezoni, kualifikimin për në fazën e grupeve. Kryeqytetasit bashkë me bullgarët e Ludogorecit ishin goglat që mbetën jashtë çiftimeve në “rrugën e kampionëve”, ndërsa 8 ekipe të tjerë të ardhur nga Championsi do të duhet të luajnë në raundin e tretë. Kjo do të thotë se Tirana do të fitojë 280 000 euro, plus 1.6 milionë euro që ka fituar deri tani, pra gati 1.9 milionë, apo duke “e rrumbullakosur”, afrohet tek 2 milionëshi. Tirana do të duhet të presë deri në 18 shtator për të mësuar rivalin në plej of, ndërsa ndeshjen do ta luajë në 1 tetor.

Shorti i turit të dytë, ndërkaq, ishte i tmerrshëm për ekipet shqiptarë, të paktën për dy prej tyre. Kukësi do të duhet të përballet me Volfsburgun e Bundesligës gjermane, ndërsa Teuta do të ketë në rrugën e saj Getafen e La Ligës së Spanjës. Pengesa thuajse të pakapërcyeshme, ndonëse ndeshjet e vetme do të luhen në Shqipëri në 17 shtator. Presidenti “i nderit” i Kukësit, Safet Gjici, nuk vonoi të shprehte optimizmin e tij të pashërueshëm. “E pamundur u duk edhe kur Tirana luajti ndaj Crvena Zvezdës, por Tirana duhej të ishte kualifikuar, – tha ai, – Volfsburgu nuk ishte shorti që deshëm, por duhet të bëjmë maksimumin për ta kaluar. Plus është që luajmë në fushën tonë”. Laçi ndërkaq do të ndeshet me Hapoelin e Ber Shevasë, ekip që e pati përballë edhe vjet dhe u eleminua me dy rezultate të ngushtë, 1-1 e 0-1.

Sfidanti.al