Tifozët e Liverpulit: “Nëse fitojmë titullin ka festë, s’pyesim për virusin”!

Në plazhet e Britanisë së Madhe, policia po e gjen veten në pozitë shumë të vështirë për të ndalur dyndjen e njerëzve. “Mileti” është mërzitur brenda, ndërsa temperaturat janë çmendur, por “bobët” do ta kenë edhe më të vështirë, nëse sonte rreth mesnatës, Liverpuli shpallet kampion i Premier Ligës. Sinjalet nga qyteti buzë Detit të Irlandës dhe buzë lumit Mersej janë që mijëra tifozë do të braktisin shtëpitë e do të mblidhen nëpër lokalet e natës për të festuar.

Kjo, nëse Mançester Siti nuk fiton dot ndeshjen në “Stemford Brixh” të Londrës ndaj Çelsit. Padyshim, që shumë tifozë do të jenë që më përpara jashtë shtëpive, duke ndjekur ndeshjet në ambiente të hapura apo edhe të mbyllura, duke rrëkëllyer birra apo pije më të forta alkoolike. Ndjenjat janë të forta, ndërsa muralet e Jurgen Klopit kanë “mbirë” nëpër qytet, ashtu si figurat prej kartoni të trajnerit gjerman, në përmasa reale. Nëpër stenda të krijuara aty për aty shiten shalle, fanela, suvenire, flamuj.

Nuk i thonë shaka, janë 30 vjet pritje, aq më shumë për tifozët e një skuadre si Liverpuli. Imagjinoni, që nga viti 1973 deri në 1990, të kuqtë ishin gjithnjë në një nga dy vendet e para të kampionatit, me përjashtim të një rasti të vetëm, ndërsa tani iu desh të prisnin 30 vjet, dhe kjo pritje ende nuk ka përfunduar zyrtarisht.

Sfidanti.al