Tetë fitore radhazi për Guardiolën dhe “katër fantastikët”!

Mançester Siti ka bërë nisjen (dhe vazhdimin, tashmë) më të mirë të sezonit në Premier Ligë. Jo vetëm kaq, por me suksesin 3-2 në fushën e Uest Bromit, “qytetarët” e Guardiolës barazuan rekordin e kampionatit në formën e tij të re, vendosur nga vetë Siti i Mançinit në 2010-2011 dhe nga Çelsi i Zhoze Murinjos në 2005. Një shenjë shumë e mirë për kryesuesit e sotëm është se të dyja ato skuadra dolën kampione, atëherë.

Me 9 fitore dhe vetëm 1 barazim, Siti ka jo vetëm kryesimin me 28 pikë (tre më shumë se Junajtid), por edhe numrin e madh të golave të shënuar 35, dhe të paktë të pësuar, vetëm 6. Asnjë skuadër në Europë nuk i ka këto statistika.

Guardiola është i lumtur sepse ka gjetur lojtarët e duhur, sipas filozofisë së tij. Siti i sotëm ka katër sulmues që po shkëlqejnë, si Kun Aguero (këtë herë në stol), Gabriel Zhezus, Rahim Stërling, madje edhe Leroi Sane. Ky i fundit thuajse e zhgënjeu trajnerin në verë, por po paraqitet shkëlqyeshëm tani për tani. Duke pasur edhe Klaudio Bravon në portë (këtë herë në stol) dhe Edersonin po në portë, Otamendin, Stounsin, Uolkerin apo Bernardo Silvën, duke pritur të dëmtuarin Mendi dhe duke pasur në mesfushë De Brujnin, David Silvën, Fernandinjon apo Jaja Turenë, Guardiola nuk mund të kërkojë më shumë. Në Angli po pyesin, nëse Mançester Siti i tij do të arrijë “Arsenalin e Të Pathyeshmëve” që fitoi titullin në 2004 pa humbur asnjë ndeshje.

Sfidanti.al