Suarez e Mesi fitojnë derbin për Barçën, tani -3 nga Reali!

As nuk mund të mendohet që kjo skuadër të dorëzohet. Fjala “kapitullim” nuk bën pjesë në fjalorin e yjeve të Barcelonës dhe ata vazhduan metodikisht punën e tyre për të siguruar një tjetër trofe në fund të sezonit. Në një ditë kur Reali nuk e luajti ndeshjen e La Ligës ndaj Valencias për të luajtur finalen e Kupës së Botës për klubet, katalanasit fituan derbin me Espanjolin. Rezultati, 4-1 me MSN-në në krye të punëve. Luis Suarez shënoi dy gola dhe Lionel Mesi një tjetër, ndërsa argjentinasi dha dy asiste, dhe një gol u shënua nga Zhordi Alba. Skuadra e Luis Enrikes ka tani 34 pikë në 16 ndeshje. Reali ka 37 në 15 takime, ndërsa golaverazhi është thuajse njëlloj, 40-14 ai i madrilenëve, 41-16 ai i “blaugranave”. Reali i Zidanit mbetet favorit për titullin, veçse Barcelona e Mesit mbetet gjithjnë e aftë të bëjë mrekullitë. Sezoni në Spanjë premton sërish të jetë shumë i fortë.