Skënderbeu pret sërish historinë, në fazën e grupeve të Ligës së Europës!

Skënderbeu u kualifikua për herë të dytë në historinë e tij në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Skuadra shqiptare ia doli pas barazimit 0-0 në “Elbasan Arena” ndaj Dinamos së Zagrebit, ndërsa takimi i parë në Kroaci kishte përfunduar 1-1. Në këtë mënyrë, korçarët kaluan në grupe me gol në fushë kundërshtare.

Ndeshja në Elbasan ishte shumë e fortë, dhe me raste nga të dyja skuadrat, por gol nuk pati. Trajneri Daja e vendosi skuadrën në fushë me një taktikë të kujdesshme, për të mos pësuar gol, dhe ia arriti qëllimit, ndonëse nuk luajti vetëm në mbrojtje. Në minutat e fundit, ekipi shqiptar luajti me 10 lojtarë pasi Nimaga doli me karton të kuq, por ia doli të mos pësonte gol.

Dinamo e Zagrebit ishte sërish favorite për të fituar dhe për t’u kualifikuar, por rezultati përfundimtar tregoi se jo gjithnjë fiton ai që mendohet si më i miri.

Tashmë, Skënderbeu pret shortin e grupeve që do të hidhet nesër në orën 13:00 për të mësuar kundërshtarët. Edhe dy vjet më parë, korçarët ishin në fazën e grupeve, suksesi më i madh i arritur ndonjëherë nga skuadrat shqiptare.