Siti ka një derbi me Junajtidin për titullin (plus edhe Liverpulin)!

Kur ndeshja në “Stemford Brixh” përfundoi dhe miqtë dolën fitues me shifrat 3-1, mendimi i parë që erdhi ndërmend ishte se qyteti i Mançesterit ishte kthyer sërish në “vorbullën” kryesore në garën për fitimin e Premier Ligës. Mançester Siti luajti një futboll kaq dominues në suksesin ndaj Çelsit, saqë të gjithë e kuptuan se Pep Guardiola nuk mund të lejojë që Mançester Junajtidi dhe Ole Gunar Solskjeri të jenë sfidantët e vetëm të Liverpulit.

“Kjo ishte një fitore si ato të Sitit të dy apo tri vjetëve më parë, – tha Pepi, – ne kishim një plan, u përpoqëm të luanim në një mënyrë të caktuar, diçka që e kemi bërë shumë mirë në të kaluarën, dhe ia dolëm përsëri. Lojtarët ishin të pabesueshëm, fantastikë në çdo cep të fushës. Ne jemi ekip që duhet të luajë me një ritëm të caktuar, me shumë pasime, dhe me sulmin në momentin e duhur. Në këtë mënyrë fituam Premier Ligën, për shumë arsye (kohët e fundit) nuk e patëm këtë stil, por tani e kemi përsëri. Ne i fituam titujt duke luajtur siç bëmë sot (dje)”.

Ilkai Gyndogan shënoi në 18’, Fil Foden realizoi të dytin në 21’ dhe Kevin De Brujn bëri 3-0 në 34’. Vetëm në minutën e dytë shtesë (90’+2) Kallëm Hadsën-Odoi shënoi golin e ngushëllimit për Çelsin. Siti ka 29 pikë dhe një ndeshje më shumë për të luajtur, ndërsa Liverpuli e Mançester Junajtidi kryesojnë me nga 33 pikë.

Sfidanti.al