Si shumë po shqetësohet bota për bebet e tokësorit Kristiano Ronaldo!

Nëse nuk do të ishte një futbollist i nivelit të lartë, natyrisht që do të sillej ndryshe. Kristiano Ronaldo nuk mund të kapte grua pas gruaje, pasi nuk do të ishte aq i famshëm, dhe nuk do të linte pas fëmijë me nëna të ndryshme, sepse nuk do t’i dilnin paratë për t’i mbajtur. Meqë në këtë jetë nuk ecet me “nëqoftë se”, mbetet të themi se Kristiano Ronaldo është thjesht një njeri me fat përsa i përket karrierës dhe parave, ndonëse nuk e dimë nëse është i lumtur.

Dy bebe mund të kenë lindur diku me baba pikërisht yllin e Realit, nga një nënë e panjohur, që në gjuhën angleze cilësohet me një fjalë që në shqip tingëllon shumë rëndë “nënë surrogato” (surrogate mother). Anglezët, habitshëm, nuk përdorin fjalën “baba surrogato” për Ronaldon, ndonëse ky do ta meritonte po aq sa nëna, në mos edhe më shumë.

Tabloidët dhe emisionet e thashethemeve, që kanë zëvendësuar imazhin e dikurshme të plakave që merrnin njerëzit nëpër gojë në pragun e shtëpive, po merren me misterin nëse është e vërtetë që Ronaldo u bë baba sërish me binjakë, një djalë e një vajzë, si dhe duan të zbulojnë edhe misterin se cila është nëna e tyre. Kjo, siç duket, do t’u jepte një kënaqësi të madhe thjesht sepse kënaqësia e tyre vjen nga shuarja e kuriozitetit, një nivel vërtet i ulët njerëzor.

Binjakët e Ronaldos, janë apo jo të tijtë, në të vërtetë janë një çështje personale apo familjare e Kristianos. Askujt nuk i ndryshon ndonjë gjë në jetën e tij nëse merr vesh diçka që ka të bëjë me këtë të vërtetë. Çdo njeri ka mbi supe gabimet, sukseset, problemet e tij.

Për Ronaldon, thjesht mund të themi se e ka një përvojë të tillë me djalin e tij, Kristianinjo. Ende sot e kësaj dite nuk dihet se cila është nëna e tij, ndërsa thuhen edhe përralla të tilla si “ai është lindur nga dy nëna” (a thua se ka ekzistuar në kohën e Marisë së Krishtit). Nga çdo standard normal njerëzor, historitë e CR7-tës janë histori të një mashkulli të pabesë, që ia punon pas krahëve femrës së momentit me të cilën është lidhur. Për njerëzit kuriozë, kjo duhet të jetë e para për nga rëndësia. Sa për të tjerat, fëmijët janë të Ronaldos, dhe le t’i gëzojë si çdo prind.

Sfidanti.al