Shqiptarët bëjnë festë në Serinë A, por përse u zëvendësua Kumbulla?!

Ishte sërish mbrëmja e tyre, dhe e shfrytëzuan më së miri. Në futbollin “post-koronavirus” shqiptarët vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes në ligat e rëndësishme, e mbi të gjitha në Serinë A. Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj dhe Marash Kumbulla patën radhën për të dalë në fushë, dhe ishin që të tre titullarë. Tre mbrojtës, njëri më i mirë se tjetri, një garanci për repartin e prapavijës së kombëtares së drejtuar nga Edi Reja.

Italiani me siguri do të ketë mbetur tepër i kënaqur, por ndoshta do të jetë habitur se përse Kumbulla u zëvendësua në përfundim të pjesës së parë të Veronës në fushën e Sasuolos. Me gjasë, shkak ishte lodhja, ose ndonjë problem i vogël fizik, pasi nuk është se Verona kishte pësuar gola. Hysaj e Gjimshiti, nga ana e tyre, i mbyllën ndeshjet në terrenin e lojës.

Përsa i përket rezultateve, Atalanta e Gjimshitit dhe Napoli i Hysajt ia dolën që të fitonin, ndërsa Verona e Kumbullës u nda në barazim. Bergamaskët patën një sfidë të fortë në fushën e Udinezes, duke ia dalë 3-2 me gola të Duvan Zapatës e dy herë të Luis Murielit. Napolitanët triumfuan në fushën e tyre, 3-1 ndaj SPAL-it të Ferrarës, të cilit nuk i është kthyer ende portieri i dëmtuar, Etrit Berisha i kombëtares shqiptare. Bashkë me të, do të ishin bërë 4 “shqipo” në fushë. Mertens, Kajehon e Junes ishin autorët e golave.

Verona pësoi 3 gola në pjesën e dytë, kur Kumbulla nuk ishte në fushë, duke i shpëtuar fitorja nga duart në fund. Skuadra e trajnerit Juriç ishte 3-1 përpara, por Boga shkurtoi diferencën në 77’, dhe Rozherio barazoi në minutën e 7-të shtesë! Në renditje, Atalanta forcon pozitat në zonën Champions me 57 pikë ndaj 48 të Romës së vendit të pestë. Napoli ka 45 pikë në vend të 6-të, ndërsa Verona është e 9-ta me 39, 3 më pak se Milani.

Sfidanti.al