Shqipëria humbet dhe Mavraj pas Berishës, De Biazi ka frikë..rrogën!

Nuk harrohen fjalët e trajnerit De Biazi në adresë të vëndit të tij, Italisë, me rastin e ndeshjes në Palermo në muajin mars, tingëllima e të cilave mbetet speciale: “ Kujdes Itali kur të luani me Shqipërinë, pale nëse ju gënjen mëndja të na sulmoni!”  Sepse na u kujtuan këto fjalë, kur erdhi lajmi i pafavorshem se edhe Mavraj nuk do të jetë për ndeshjen me Italinë.  Duket sikur edhe fati,  po na sulmon, më parë se ta bëjë Italia e Venturës. Shtohet frika kur kujton se edhe portieri  Berisha nuk do të jetë në portë për shkak të gafës me Izraelin, madje edhe Gjimshiti.  Trajneri De Biazi ka 100 arsye për të prishur gjumin dhe përrallën se gjysma e Europës  lakmon ta provojnë magjinë e tij. I perkedhelur nga ky iluzion, në një nga intervistat e fundit,  në vënd të qante mungesën e Bershishës  që e bën portën më të madhe se 7 metra, Xhani, ka gjetur kohën e gabuar për “dasmë”, për të qarë rrogën “e vogël” që i jep presidenti dhe …jo Shqipëria. Sikur dalin nga xhepi i tij dhe aspak nga xhepi i futbollit…

Saki, një nga njerëzit më të nderuar në atdheun e De Biazit, në librin e tij, ka një frazë që nuk mund të flaket në harresë, madje mund të varet në mur me kornizë: “ Në futboll, më shumë se teknika dhe taktika, vlen një aspekt tjetër.. mirënjohja”.  Nëse trajneri ynë do të tregohej i ndershëm me veten dhe me shqiptarët,  të paktën në pak momente, të flasë për ndeshjet dhe lojën që ka humbur shpresën, aspak për paratë që hyjnë në xhepin e tij stërmadh.  Xhani akoma nuk e di, ose bën sikur, se shqiptarët i kanë falur dashuri më shumë sesa meriton. Veçse një ditë, kur t’u vijë në majë të hundës, do të thonë atë që s’thuhet: “ Harrove ti i dashur se paguam qimet e kokës për të çuar ty dhe ekipin tënd në Europian”.  Ky do të ishte zëri popullor i futbollit, sepse po t’u lejohej të flisnin edhe zyrtarët, nëse do të vrisnin frikën që i mban peng, do t’ia ulnin këmbët në tokë njeriut të përkëdhelur edhe politikisht: “ Ne nuk po marrim dot rrogat, kurse ti, edhe pse ke dështuar këtë sezon, prapëseprapë,  pretendon më shumë se 40 mijë euro në muaj..”

Sfidanti.al