Shorti i Championsit, duket se është radha e Paris SG të eleminojë Barcelonën!

Edhe pse u larguan disa nga më të fortët, sërish priteshin shkëndija. I tillë ishte përfundimi i shortit të turit të dytë të Ligës së Kampionëve, hedhur nga UEFA në Nion të Zvicrës. Nga përzgjedhja e goglave dolën disa çifte shumë të fortë, e mbi të gjithë spikat ai mes Barcelonës dhe Paris SG. Katalanasit dhe francezët kanë qenë protagonist të disa dueleve të paharruar në të kaluarën, ku ekipi nga Spanja vazhdimisht ka dalë fitues, por këtë herë duket ndryshe. PSG është nënkampion i Europës në fuqi, ndërsa Barça ndodhet në krizë të plotë.

Bajerni, fitues i Championsit në fuqi, do të ketë një duel gjithashtu të fortë, që mund të cilësohet sidoqoftë i përballueshëm, ndaj Lacios së Serisë A. Kampionët bavarezë do të jenë favoritë përballë ekipit ku luajnë Tomas Strakosha e Vedat Muriqi. Reali i Madridit, rekordmeni i titujve në këtë konkurrim, pati një çiftim interesant, edhe pse të pranueshëm, pikërisht ndaj ekipit surprizë të Championsit këta dy vjet, Atalantës së Italisë, ku bën pjesë edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti.

Duele shumë të fortë ata mes Atletikos së Madridit e Çelsit të Londrës, por pa dyshim edhe mes Lajpcigut të Bundesligës dhe Liverpulit. Mançester Siti, që gjithnjë cilësohet si një nga pretendentët kryesorë për trofeun, do të ketë punë me një tjetër surprizë, Borusian e Mynshengladbahut, ndërsa gjermanët duan të kthehen në kohët e lavdisë së viteve 70-të.

Një përballje e ekuilibruar mund të quhet ajo Sevilja-Dortmund, me spanjollët që janë fitues në fuqi të Ligës së Europës, ndërsa gjermanët kanë talent e potencial të madh pavarësisht shkarkimit të trajnerit Favre. Juventusi mund të jenë deri diku i kënaqur me shortin, pasi Porto nuk cilësohet si një nga ekipet më të fortë të Europës. Gjithsesi, edhe pse italianët janë favoritë për kualifikimin, portugezët mbeten të rrezikshëm deri në fund.

Champions, shorti i turit të dytë

Mynshengladbah-Mançester Siti

Lacio-Bajern Mynih

Atletiko Madrid-Çelsi

Lajpcig-Liverpul

Porto-Juventus

Barcelona-Paris SG

Sevilja-Dortmund

Atalanta-Real Madrid

Ndeshjet e turit të dytë do të luhen në 16-17 e 23-24 shkurt 2021 dhe 9-10 e 16-17 mars 2021

Sfidanti.al