Shigjeta e Karvahal: Rauli lojtari më i mirë në historinë e Realit

Akoma nuk po qetësohen reagimet mbas largimit të Kristiano Ronaldos nga Reali për te Juvja dhe ai vazhdon të jetë temë qëndrore diskutimesh. I fundit që u pyet, nëse ky futbollist portugez është lojtari më i mirë në historinë e Realit të Madridit, është Dani Karvahal që, për habi, megjithëse ka luajtur shumë vite me Ronaldon, tha këtë përgjigje:
“Rauli është lojtari, me të cilin unë identifikoj veten time, pra, tek ai unë shoh veten time. Ai është një lojtar që erdhi nga shkolla e Realit dhe që i fitoi të gjithë titujt falë punës së tij këmbëngulëse. Duke pasur parasysh golat që ai ka shënuar dhe atë që i ka dhënë për klubin tonë, unë konsideroj se ai është lojtari më i mirë në historinë e klubit të Realit të Madridit”, vuri në dukje mbrojtësi i djathtë spanjoll i klubit “mbretëror”.
Karvahali 26-vjeçar është, sot për sot, një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në botë dhe sigurisht që ai do të jetë zgjedhja nr.1 e trajnerit të ri të Realit, Hulen Lopetegi.
Sfidanti.al