Sherif-Partizani, a do të ketë suksesi varianti sulmues i Lerdës?

Mund të jetë dita e duhur, edhe pse duket shumë e vështirë. Partizani luan sot në orën 19:00, ndeshjen e kthimit në turin e dytë të Ligës së Europës, në fushën e Sherifit të Tiraspolit, me synim kualifikimin. Kampionët e Shqipërisë u mundën 0-1 në ndeshjen e parë në Tiranë, dhe trajneri Franko Lerda e di se parashikimet nuk janë të favorshme për ekipin e tij.

“Rezultati i ndeshjes së parë na penalizon disi, – tha italiani, – nuk e prisnim humbjen, por ajo ndodhi, ndaj do të luajmë për kualifikim. E di se nuk jemi aspak favoritë, por kemi shanse për përmbysjen. Pavarësisht nga çfarë ka ndodhur, kam bindjen se skuadra është e bashkuar”.

Bëri përshtypje fakti se në krah të trajnerit nuk doli kapiteni Hoxha, por mbrojtësi rumun, Boldor. Partizani u stërvit në stadiumin ku do të luhet ndeshja, me mungesa të vetme lojtarët që u lanë në Tiranë, si Mensah e Lukas, ndërsa Jurgen Bardhi është gati.

Lerda mësohet se ka bërë ndryshime të mëdha në formacion, dhe pritet të luajë me skemën 3-4-3. Hoxha në portë, Bitri, Belica e Boldor do të jenë në mbrojtje. Mala, Telushi, Broja e Trashi në mesfushë, dhe treshja Asani-Solomon-Melo në sulm.

Sherifi është padyshim favorit për të shkuar në turin e tretë. Skuadra e Moldavisë, që i përket republikës së vetëshpallur proruse të Transnistrisë, bëri edhe ajo përgatitjet e fundit. Trajneri kroat, Zoran Zekiç, nuk deshi të zbulonte formacionin, dhe u tregua i kujdesshëm në fjalët e tij para gazetarëve.

“Vijmë me fitore, por duhet të dalim në fushë me mendimin sikur gjithçka nis nga zero, – tha Zekiç, – nuk mund të kemi asnjë nënvleftësim, pasi Partizani patjetër që e ka studiuar ndeshjen e parë, ashtu siç kemi bërë edhe ne. Kemi lojtarë të dëmtuar, dhe disa në dyshim. Parashikoj një ndeshje të vështirë, dhe shpresoj që tifozët në stadium të jenë të shumtë, dhe në na ndihmojnë”.

Sherifi parashikohet si fitues dhe si i kualifikuar nga kompanitë e basteve, që i japin koeficient shumë të ulët për suksesin, ndërsa tifozët besohet se do të jenë të shumtë, edhe sepse çmimi i biletave është tepër i lirë.

Sfidanti.al