“Shembja e idhujve”, ose Gladbahu përmbys Bajernin në Gjermani!

Ndeshja e parë e vitit dhe humbja e parë. Sa larg duket fillimi i 2021-it për bavarezët e Hansi Flikut në krahasim me atë të motit të kaluar kur fituan 4-0 në fushën e Hertës! Borusia e Mynshengladbahut e kishte mposhtur Bajernin tri herë në 5 ndeshjet e fundit, pra e kishte treguar që mund t’ia dilte dhe sërish e bëri. Një rikthim i dueleve të mëdha të viteve 70-të të paktën në duelet direkte, pasi asnjë ekip në Bundesligë, në Gjermani apo në Europë nuk e ka mundur të plotfuqishmin e Mynihut 4 herë në 6 sezone. Ishte madje një fitore me përmbysje, pasi Levandovski shënoi në 21’ me penallti dhe Leon Gorecka për 2-0 në 26’.

Gjithsesi, pjesa e parë u mbyll barazim pasi Jonas Hofmani shënoi dy herë (35’, 45’). Pas pushimit, Florian Nojhauz shënoi shumë shpejt, që në 49’, dhe skuadra e trajnerit Roze përballoi furinë bavareze deri në fund. Statistikat ishin në favor të Bajernit, me përjashtim të rezultatit. Gjuajtjet drejt portës ishin 8-16 për miqtë, pasimet 362-709 dhe zotërimi i topit 33 me 67 për qind. Gjithsesi, Gladbahu vrapoi më shumë sesa kampionët, plot 123.13 km ndaj 116.77 km të miqve. Bajerni ka 33 pikë dhe mund të kalohet nga Lajpcigu, që ka 31 dhe pret sot Dortmundin. Gladbahu arriti në 24 pikë ende në vendin e 7-të, por vetëm 1 pikë larg zonës Champions.

Sfidanti.al