Shaqiri e dëgjoi fjalën e duhur nga Klopi: Ke të ardhme në Liverpul!

Duket pak e vështirë që këto të besohen pasi nuk ka qenë titullar asnjëherë që nga dhjetori 2019, por trajneri i të kuqve është një njeri që përpiqet ta mbajë fjalën. Kjo, edhe pse në futboll është e vështirë të bëhet kjo gjë, ku skuadrat ndryshojnë vazhdimisht, po ashtu forma e lojtarëve dhe niveli i kundërshtarëve. Xherdan Shaqiri mund të ketë të ardhme tek Liverpuli, gjithnjë nëse ai do të ketë fat që të mos dëmtohet, dhe që të mos humbasë formën për shkak të këtyre dëmtimeve, apo të dëshpërimit që lihet në stol.

“Së pari, ai luajti një ndeshje super, – tha Klopi për shqiptarin e Zvicrës, për ndeshjen e Kupës ndaj Linkolnit, – një paraqitje superiore në një rol krejtësisht jo të njohur për të, jofamiljar. Ai ia doli me të vërtetë mirë. Nuk kam asnjë dyshim për cilësitë e Xherdanit, kurrë nuk kam pasur dhe për momentin gjithçka duket mirë, duket premtuese, ndaj ne do të shohim sesi do të jetë në të ardhmen”. Shaqiri u diskutua shumë për t’u larguar këtë verë, aq më tepër me ardhjen e Tiago Alkantarës nga Bajerni, por Klopi thotë se ka besim tek ai. Shaqiri shënoi 2 gola, njërin me goditje dënimi, në fitoren 7-2 të kampionëve të Anglisë në Kupën e Ligës.

Sfidanti.al