Sevilja eleminon Murinjon, ose “haka shkon tek i zoti”

Sevilja u kualifikua për herë të parë në historinë e saj, në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, dhe e arriti në mënyrën më të mirë të mundshme. Skuadra që ishte mësuar të fitonte Ligën e Europës, nuk e pati aspak problem që kërkoi suksesin në “Teatrin e Ëndrrave”, stadiumin “Old Traford” të Mançester Junajtidit, por triumfoi 2-1 duke e merituar plotësisht.

Spanjollët e trajnerit italian, Vinçenco Montela, ishin superiorë ndaj anglezëve të Zhoze Murinjos, si ndeshjen e parë, ashtu edhe në të dytën, me një futboll shumë më tepër sulmues e modern, ndërsa taktikat e trajnerit portugez u dukën të vjetra, të dala boje, duke e acaruar shumë publikun vendas.

Uisam Ben Jeder shënoi të dy golat për spanjollët që arritën një fitore të madhe në “Old Traford”, ndërsa rrjeta e vonshme e Romelu Lukakut ishte tepër pak dhe tepër vonë për “djajtë e kuq”. Ben Jeder është shënuesi më i mirë i sezonit për Seviljen, me 17 rrjeta, ndërsa hyrja e tij u duk si një mrekulli. Vuri këmbë në fushë në 72’, shënoi në 74’ e 78’, pra dy herë në vetëm 6 minuta. Gjithsesi, e shkëlqyer ishte e gjithë Sevilja, që nga portieri Riko, pastaj Kjer, Lengle, Eskudero, Nzonzi, Banega, Sarabia, Korrea dhe padyshim Ben Jeder.

Murinjo e nisi ndeshjen pa Pol Pogbanë, që e aktivizoi në minutën e 60-të, por francezi zhgënjeu, ashtu si edhe Aleksis Sançez. Kjo ishte goditje e rëndë për klubin e famshëm, por edhe për futbollin anglez. Eleminimi i Junajtidit, i Totenhemit dhe rreziku për eleminimin e Çelsit mund t’i lerë ishullorët me vetëm 2 skuadra në çerekfinale, Man. Siti e Liverpul.

Sfidanti.al