Setien bën trajnerin, dhe i përgjigjet Mesit: E ke gabim për Championsin!

Në fund të fundit, flitet për një lojtar, edhe pse për më të mirin e botës. Shpesh, kur lavdërimet për të arrijnë përmasa makroskopike, njeriu e humbet sensin e masës dhe koordinatat e vetes me të tjerët. Kjo duket se po i ndodh edhe Lionel Mesit, i cili nisi një konflikt të paprovokuar me trajnerin e tij, Kike Setien. Pak ditë më parë, kapiteni i Barcelonës u shpreh se me futbollin që praktikon Setieni, nuk mund të fitohet Championsi, diçka që bëri bujë.

Setieni u detyrua të përgjigjej edhe ai hapur. “Fjalët e Mesit, mendoj se, kanë krijuar një debat të madh, – u shpreh trajneri, – ne jemi të bindur se mund ta fitojmë Championsin. Natyrisht, duhet të përmirësojmë disa gjëra, por pa dyshim që jemi të bindur se mund t’ia dalim. Ne mund të fitojmë”. Ky trofe është edhe fiksimi i Mesit, i tifozëve dhe i klubit, sidomos pasi Reali fitoi 3 Champions radhazi në vitet 2016-2019, ndërsa katalanasit e kanë titullin e fundit në 2015. Përsa i përket këtij debati, duhet theksuar se Mesi bëri publike diçka të brendshme, pavarësisht nëse fjalët e tij janë apo jo të drejta. Ndaj edhe Setienit nuk i mbeti gjë tjetër veçse të përgjigjej po publikisht. Të shohim se çfarë ndikimi do të ketë kjo polemikë tek Barcelona, dhe nëse do t’i prishë punë.

Sfidanti.al