Sarri tani është për Juven, por në Milano mungojnë De Ligt e Dibala!

Jo pak përballë një kundërshtari që duket në formë, pavarësisht barazimit me SPAL-in pak ditë më parë. Juventusi rrezikon mjaft në “San Siro” ndaj Milanit, veçse për momentin për kampionët ka vetëm lavdërime. Fitorja 4-1 në derbin ndaj Torinos ka bërë që mediat italiane të shkruajnë se “ky Sarri është për Juven”, ndërsa më parë kishte shumë dyshime nëse napolitanit i rrinte apo jo mirë “kostumi bardhezi”.

Vetë trajneri nuk dëshiron të flasë për mungesat e De Ligtit e Dibalës kundër Milanit, por për suksesin dhe raportin e tij me lojtarët. “Me Paulon (Dibalën) raporti është i mirë, i sinqertë, – thotë ai, – për të nuk kam pasur kurrë dyshime dhe ia kam thënë gjithnjë atë që mendoj në mënyrën sesi duhet të stërvitet. E kam bindur që të luajë më pranë Ronaldos, sepse i bën mirë që të dyve”. Sarri vlerëson Kuadradon në rolin e mbrojtësit të krahut, duke u shprehur i habitur, ndërsa tregon sesi Kristiano Ronaldo i tha në fund të ndeshjes se “ia dola, më në fund”, dhe fjala ishte për golin me goditje dënimi, të parin në 2 vjet me Juven.

Sfidanti.al