Sadiku nuk shënon për Zyrihun, ja marrin topin nga dora

Lajmi i mirë është, se në ndeshjet e mbrëmshme, në kuadër të fazës së grupeve të Europa League, Armando Sadiku, më në fund kthehet në fushë, megjithëse ende jo si titullar. Për sulmuesin e Kombëtares, i cili ka vuajtur një dënim që e mbajti larg fushave për një kohë relativisht të gjatë, pikërisht kur po kalonte një moment shumë të mirë, pati vend në formacionin e Zyrihut në pjesën e dytë të takimit, kur spanjollët e Vijarealit kryesonin 0-1 në stadiumin “Letzigrund”.

Futbollisti nga Elbasani u mundua të bënte një paraqitje sa më të mirë, si dhe u përpoq të shënonte me çdo kusht, por nëse nuk e bëri këtë, ndodhi sespe ia morën topin nga dora. Në të 87’, bardheblutë e Zyrihut fituan një 11 metërsh dhe Sadiku nuk donte ta humbiste shansin për ta ekzekutuar, por Roberto Rodrigez nuk ia dha këtë shans, pavarësisht insistimit të sulmuesit shqiptar. Ai ishte caktuar që në dhomat e zhveshjes për të ekzekutuar penalltitë e mundëshme dhe ai shënoi… ndoshta golin më “të hidhur” për Sadikun.