Sa i çuditshëm ky Klopi, nuk kënaqet as me fitoren e 23-të!

“Nuk ishte një paraqitje e shkëlqyer”. Këto ishin fjalët e trajnerit të Liverpulit pas suksesit 2-0 të ekipit të tij në fushën e Uest Hemit, që e ngjitën 19 pikë larg vendit të dytë, në renditjen e Premier Ligës angleze. Mohamed Salah shënoi me penallti në pjesën e parë, dhe Okslejd-Çembërlen shtoi të dytin pas pushimit. “Do të kisha dashur që të kishim luajtur më mirë, – vazhdoi Jurgen Klopi, – por, gjithsesi do ta marr kështu siç ndodhi. E kuptoj që nuk është e lehtë të fitohen kaq shumë ndeshje, po të kishte qenë e lehtë, do ta kishin bërë shumë të tjerë. Herë të tjera kemi luajtur ndeshje të shkëlqyera, kjo ishte një ndeshje e zakonshme”.

Liverpuli ka 70 pikë në 24 ndeshje, pra 23 fitore e një barazim, duke qenë 19 pikë larg Sitit të vendit të dytë që ka 51. Të kuqtë po shkojnë drejt titullit të 19-të kampion në histori, dhe të parit pas 30 vjetësh, ndërsa kanë mundësi të barazojnë rekordin e Arsenalit që e fitoi Premier Ligën pa humbje në 2003-2004.

Sfidanti.al